Lidhje

Parlamenti miraton Gjykatën e Posaçme


Parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Parlamenti i Kosovës, miratoi me 82 vota për dhe 5 vota kundër ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për trajtimin e pretendimeve për krime lufte.

Rivotimi i sotëm pasoi dështimin e parlamentit për të miratuar këto ndryshime më 26 qershor. Votimi i hapi rrugën miratimit të ligjit për gjykatën e posaçme dhe qeveria paralajmëroi sot më herët se gjatë ditës do të dërgojë atë për miratim në parlament, së bashku me projektligjin për mbrojtjen e personave të akuzuar të mundshëm nga Gjykata e Posaçme.

Projektligji për Gjykatën e Posaçme miratimi i të cilit kërkon shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve, është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë disa nga ndryshimet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Po ashtu miratimi i ndryshimeve kushtetuese pritet të pasohet nga sqarimi i çështjeve tjera që lidhen me funksionimin e gjykatëse e cila pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u përshkua me debat të ashpër dhe thirrje të opozitës kundër kësaj gjykate. Madje në disa raste debatet morën edhe ngjyrime personale ndërmjet deputetëve.

Qeveria e Kosovës u tha deputetëve se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve kundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Opozita fillimisht hodhi një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999, përkatësisht siç thuhet gjenocidin që ka ushtruar Serbia në Kosovë, por nuk siguroi votat e mjaftueshme që kjo çështje të futet si pikë e parë e rendit të ditës për sot.

Udhëheqësit e opozitës thanë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por për një gjykatë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksuan se ri votimi e dëmton rëndë demokracinë në vend.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.

Vendimi për rivotim pasoi diskutime të gjata brenda koalicionit qeverisës, përkatësisht brenda Partisë Demokratike, një numër i deputetëve të së ciëls votuan kundër, abstenuan, apo nuk morën fare pjesë në seancën e 26 qershorit gjë që nxiti shtimin e trysnisë ndërkombëtare posaçërisht ndaj kryetarit të kësaj partie Hashim Thaçi, për gjetjen e rrugëve për votimin e serishëm të ndryshimeve kushtetuese.

XS
SM
MD
LG