Lidhje

Kosova miraton ligjin për luftëtarët e Sirisë


Projektligji i miratuar në parim në Parlamentin e Kosovës pasoi shtimin e numrit të qytetarëve shqiptarë që i janë bashkuar luftës siriane

Parlamenti i Kosovës miratoi me 48 vota për dhjetë kundër dhe katër vota të paanshme projektligjin, i cili ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.


Ligji prej pesë nenesh synon të pengojë bashkimin apo pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Ai synon të veprojë ndaj çdo personi, që merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo stërvitë personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Ai parasheh dënime nga 3 deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që shkelin dispozitat e këtij projektligji.

Hartimi i këtij projektligji pasoi shqetësimet e ngritura për përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Më herët gjatë vitit, agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre.

Gjatë debateve të sotme në Parlament pati vërejte për natyrën e përgjithësuar të ligjit si dhe kërkesa që të sqarohet fushëveprimi i tij në mënyrë që interpretimi të mos shndërrohet në objekt përplasjesh në rastet kur do të mund të shfaqej nevoja e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte që mund të jenë në interes të vendit.
Hartuesit e projektligjit thanë se ai është i domosdoshëm edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës e cila mund të jetë e rrezikuar nga personat që po shkojnë në luftën e Sirisë.

Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmanget çdo mundësi e përfshirjes në atë luftë, ndërsa thirrjeve u është bashkuar në disa raste edhe Bashkësia Islame e Kosovës, sipas së cilës zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, nuk duhet të ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftë në Siri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG