Lidhje

Kosovë: Gaz lotsjellës në parlament

  • Leonat Shehu

Seanca e parlamentit u ndërpre të enjten sërish pasi që në sallë u hodh gaz lotsjellës

Partitë opozitare në Kosovë, pamundësuan sërish mbajtjen e seancës së parlamentit. Pak pas fillimit të seancës së të enjtes, deputetët nga partitë opzoitare u mblodhën tek foltorja e parlamentit dhe më pas u hodh edhe gaz lotsjellës.

Kryetari i parlamentit Kadri Veseli e cilësoi si veprim të turpshëm dhe ftoi kryesinë që të mblidhet për të vendosur se si do të veprohet më tej.

Nuk është e qartë se si është futur gazi në parlament, meqë deputetët iu nënshtruan kontrollit të plotë para hyrjes në seancë.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një njoftimi tha se sot parlamenti “u rrethua nga policia. Pushteti mendoi që përmes rrethimit policor do ta shtypë opozitën. Opozita është e vendosur. Nuk ka kompromis me shtetin dhe territorin e Kosovës”.

Kjo është hera e dytë që hidhet gaz lotsjellës në parlament në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë. Opozita thotë se do të pamundësojë funksionimin e parlamentit dhe qeverisë derisa të mos hiqet dorë nga marrëveshjet e fundit që sipas saj e dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Duke ritheksuar kundërshtimin ndaj marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumiië serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi, partitë opozitare nëpërmjet një deklarate të përbashkët I bënë thirrje kryesisë së parlamentit “që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të merr vendim për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacion me Malin e Zi. Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha

Partitë në pushtet ndërkaq po i bëjnë thirrje opozitës të lejojë debatin në parlament, duke tërhequr vërejtjen se bllokimi i punës së tij është shembull i dëmshëm për të ardhmen.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

XS
SM
MD
LG