Lidhje

Skena të dhunës në parlamentin e Kosovës dhe jashtë tij


Partitë opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës gjatë natës në parlament. Shumica parlamentare vazhdon seancën në një sallë tjetër. Përleshje në rrugë ndërmjet policisë dhe aktivistëve të opozitës

Gazi lotsjellës mbuloi sërish pak para mesnatës parlamentin e Kosovës, i cili vendosi të mbajë seancën me gjithë kundërshtimin e partive opozitës që po bllokojnë punën e tij tash e një muaj me radhë.

Kryesia e parlamentit vendsoi të fusë sigurimin në sallën e seancave për të penguar veprimet e partive opozitare, të cilat hodhën gaz lotsjellës. Situata bëri që deputetët të shkëmbejnë edhe fjalë të ashpra me njëri tjetrin.

Një përpjekje e dytë pak pas mesantës për t'u mbledhur në seancë u pengua sërish me gaz lotsjelles të hedhur nga deputetët e opozitës, të cilët hodhën edhe shishe me ujë. Ata akuzuan qeverinë për ushtrim të dhunës ndaj deputetëve.

Para parlamentit ndërkaq policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe të veprimtarëve të opozitës që po protestonin në mbështetje të deputetëve të partive opozitare. Policia tha se protestuesit hodhën gurë dhe shishe me benzinë.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita hodhi edhe gaz lotsjellës edhe më herët gjatë ditës së premte për të penguar punën e parlamentit, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve që sipas saj, e dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Këto parti thanë sërish se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i punës së parlamentit.

Pak pas orës një pasmenate, deputetët e partive të koalcionit qeverisës u zhvendosën në një sallë tjetër të parlamentit për vazhduar seancën në të cilën brenda më pak se 45 minutave u miratuan disa ligje përfshirë edhe atë për shëndetin mendor, ndërsa deputetët e partive opozitare vazhduan të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të rregullta të parlamentit. Drejtuesit e partive opozitare e cilësuan të paligjshme seancën e mbajtur nga partitë në pushtet.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare u kanë bërë thirrje partive opozitare gjatë ditëve të fundit që të debatojnë brenda parlamentit për të gjitha çështjet e diskutueshme. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha të premten në mesnatë tha se "gazi lotsjellës dhe dhuna nuk kanë vend në sallën e parlamentit. Veprimet e tilla rrezikojnë të ardhmen e Kosovës", shkroi ai në rrjetin social twitter.

Në fillim të kësaj jave presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga filloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa është shprehur e gatshme që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet në Strasbourg më 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG