Lidhje

Gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës


Nga seancat e mëhershme të bllokuara nga opozita

Nga seancat e mëhershme të bllokuara nga opozita

Partitë opozitare bllokuan sërish punën e parlamentit të Kosovës, duke hedhur gaz lotsjellës. Partitë në pushtet miratojnë në parim buxhetin në një sallë tjetër të parlamentit.

Deputetët e partive opozitare penguan fillimin e seancës së jashtëzakonshme të parlamentit të Kosovës, në të cilën duhej të diskutohej projekt-ligji për buxhetin e vitit 2016.

Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës, pasi që sigurimi i parlamentit pengoi bllokimin e foltores prej tyre.

Partitë e koalicionit qeverisës u zhvendosën në një sallë alternative në të cilën vazhduan seancën pa praninë e partive opozitare. Në seancë u miratua në parim projekligji për buxhetin.

Jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe të veprimtarëve të opozitës që hodhën gurë ngjyrë dhe gjësende tjera mbi forcat e policisë.

Policia tha se dy protestues u arrestuan pasi që tek ata u gjeten shishe me benzinë. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe disa pjesëtarë të policisë si dhe disa protestues.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cilësoi të papranueshme veprimet e opozitës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dënoi dhunën në parlament, ndërsa përgëzoi përfaqësuesit e popullit të Kosovës, për mbajtjen e seancës në kushte të tilla. “Duhet të kuptoni që përfaqësuesit e popullit zgjidhen në kuti votimi dhe jo me armë”, tha ambasadori amerikan

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG