Lidhje

Hapet rruga për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës, miratoi ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Parlamenti i Kosovës, miratoi sot ndryshimet kushtetuese, që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Po ashtu, ai miratoi edhe marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit deri në qershor të vitit 2014.

Një letërkëmbim ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, u miratua në formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e vlerësoi votimin e sotëm si një ditë historike për Kosovën. “Tani Kosova ka implementuar në përpikëri dokumentin e presidentit Ahtisari për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane, shumetnike të reformave demokratike. Mbetet për të bërë edhe më tutje po shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë, dhe përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është edhe vlerësimi më i lartë ndërkombëtar që i është bërë shtetit të Kosovës në këto 4 vjet e gjysmë pavarësi”.

E pakënaqur me votimin e sotëm dhe kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it u shpreh lëvizja Vetëvendosje, e cila vlerëson se me këtë nuk po përfundon mbikëqyrja e pavarësisë dhe se EULEX-i me qëndrimin e tij të paanshëm ndaj statusit të Kosovës, e cenon sovranitetin e saj. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, tha se ndryshimet e sotme kushtetuese në vend të përfundimit të mbikëqyrjes po hapin një periudhë të re të saj.

Në disa amendamente që po i votoni sot, ka sforcim të këqijave që kanë qenë deri më tani në Kushtetutën e Kosovës. Nëse dikur pyet a po e heqim Piter Faithin, po e heqim Fejthin, por nëse dikush pyet a po e heqim mbikëqyrjen ndërkombëtare, në disa aspekte ne po e forcojmë atë”, theksoi Ymeri.

Miratimin e ndryshimeve kushtetuese e ka mirëpritur Përfaqësuesi Civil ndërkombëtar, Piter Feith. Në një reagim të tij thuhet se “me vendimin e tyre të sotëm, deputetët e Parlamentit të Kosovës nga të gjitha komunitetet etnike të këtij vendi krenar dhe të larmishëm kanë treguar përkushtimin e tyre të përbashkët për ta bërë Kosovën një shtet funksional e të pavarur”.

Vendimi i Parlamentit për mandatin e EULEX-it u mirëprit nga Përfaqësuesi i posaçëm Bashkimit Evropian Samuel Zbogar, sipas të cilit “fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë mbetet përparësi dhe qëllim i përbashkët dhe vendimi i sotëm do të ndihmojë në përmbushjen e tij. Mbështetja e fuqishme e Parlamentit ishte një konfirmim i angazhimit të Kosovës për të ardhmen e saj evropiane. EULEX-i është pjesë e qasjes gjithëpërfshirëse të BE-së për Kosovën dhe në të ardhmen ne duhet ta mbjellim këtë së bashku edhe më vendosmërisht në proceset e Bashkimit Evropian. Inkurajoj Kosovën që të shfrytëzojë më së miri ekspertizën në dispozicion në kuadër të këtij misioni. Në veçanti, kjo do të jetë e rëndësishme për plotësimin e kërkesave për dialogun për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, thuhet mes tjerash ne deklaratën e zotit Zbogar.”

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, ndërkaq në një reagim ka theksuar se “votimi i sotëm në Parlament është një tregues i fuqishëm i vendosmërisë së Kosovës për ta përmirësuar sundimin e ligjit, ndërsa misioni që e kryesoj unë do ta vazhdojë përkrahjen e tij në këtë proces”.

Votimi i sotëm hapi rrugën formale juridike që të hënën më 10 shtator të shpallet e përfunduar periudha e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, ndërsa zyra civile ndërkombëtare morri përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të saj. Plani nuk është zbatuar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës, i cili vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG