Lidhje

Partitë në pushtet braktisin punimet e Parlamentit

  • Leonat Shehu

Mospajtime të thella përfshinë Parlamentin e Kosovës lidhur me debatin për procesin e privatizimit


Parlamenti i Kosovës ndërpreu punimet pa arritur ndonjë përfundim të debatit të ashpër, që përfshiu atë që nga e mërkura, lidhur me rrjedhën e procesit të privatizimit.

Punimet e Parlamentit u braktisën nga partitë e koalicionit qeverisës, me çka u pamundësua votimi i një mocioni të paraqitur nga partitë në opozitë, me të cilin kërkohet pezullimi i procesit të privatizimit. Përplasjet e sotme pasuan kërkesën e shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike në pushet, Adem Grabovci, që
Parlamenti të hedhë në rend dite një rezolutë me të cilën kërkohej vazhdimi i procesit të privatizimit.

Por, kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, hodhi poshtë një kërkesë të tillë, e cila sipas tij, bie ndesh me rregulloren e Parlamentit. Pas kësaj, deputetët e koalicionit nuk morën pjesë në punimet e Parlamentit.

Nënkryetari i Parlamentit Sabri Hamiti, deputet i Lidhjes Demokratike tha se veprimet e tilla paraqesin rrënim të demokracisë parlamentare.

Kjo është hyrja në vdekjen e parlamentarizmit, që i bien hyrje në autoritarizëm. Është edhe një shprehje edhe më e fortë që unë gjithmonë e lë të fundit, por shenjat janë të gjitha të këqija ne ose do të kthehemi në demokraci ose do të rrënohet ajo që është ndërtuar deri tash”, tha zoti Hamiti.

Një pjesë e përfaqësuesve të opozitës thanë se zhvillimet e sotme pasqyrojnë edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të një dite më parë të kryetarit të parlamentit, Jakup Krasniqi, i cili kërkoi ndërprerjen e privatizimit deri në, siç ka thënë ai, vendosjen e sundimit të ligjit në vend.

Zoti Krasniqi, që është edhe sekretar i Partisë Demokratike, tha të mërkurën se përbërja aktuale e pushtetit nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm për të privatizuar pasurinë e qytetarëve të Kosovës.

Por, sot ai bëri thirrje që qëndrimeve të tij të mos u jepen ngjyrime të tjera, meqë ato ishin shprehje e shqetësimeve që kanë të bëjnë me interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Nuk janë çështje të interesave të ngushta këto janë çështje parimore për fatin e demokracisë në Kosovë. Është shumë lehtë të shihet gabimi dhe e keqja tek tjetri por është goxha burrni të shihen defektet brenda vetvetes, është mirë që çdo parti politike në Kosovë t'i shoh problemet brenda vetvetes, se sa është demokratike dhe sa i respekton procedurat e demokracisë. Mendoj që këtë duhet ta shikoni çdo subjekt politik”, tha zoti Krasniqi.

Sidoqoftë, debati për privatizimin pritet të vazhdojë javën që vjen kur pritet që në Parlament të hidhen për miratim një mocion që kërkon pezullimin e tij dhe një tjetër që kërkon vazhdimin e tij. Procesi i privatizimit i filluar pak pas luftës në Kosovë vazhdimisht ka nxitur debate, por ato janë shtuar me afrimin e mundësisë për privatizimin e ndërmarrjeve me të mëdha publike dhe më fitimprurëse në Kosovë.
XS
SM
MD
LG