Lidhje

Kosova me rezolutë për marrëdhëniet me Serbinë


Rezoluta u kundërshtua nga lëvizja Vetëvendosje, e cila e sheh atë si të dëmshme për interesat e vendit

Parlamenti i Kosovës, miratoi me shumicë votash një Rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me 68 vota për, Rezoluta u miratua në përfundim të një debati mesë katër orësh.

Dokumenti që ishte hartuar nga Partia Demokratike e Kosovës u miratua me disa ndryshime dhe pas një diskutimi të rreptë. Përfaqësues të qeverisë thanë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është parakusht për integrimet evropiane të Kosovës ndërsa u zotuan se me Beogradin nuk do të bisedohet për çështjet e brendshme apo ndonjë status të veçantë për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se pavarësia nuk është e vetëmjaftueshme dhe normalizimi e fqinjësia e mirë është kusht për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian.

Rezoluta u kundërshtua nga lëvizja Vetëvendosje, e cila e sheh atë si të dëmshme për interesat e Kosovës, madje ajo e cilësoi si “Rezolutë të nënshtrimit ndaj Serbisë”.

Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se është e pakuptimtë që Serbia të mos kushtëzohet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ai tha se Serbia do të duhej fillimisht të kërkonte falje për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë...

Po sot, kryeministri i Serbisë Ivica Dacic tha në Beograd se qeveria e tij ka vendosur në favor të vazhdimit të bisedimeve dhe është e gatshme për fillimin e tyre.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Me Rezolutën e sotme në Parlament, qeveria e Kosovës autorizohet që të udhëheqë procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë.

Përplasje rreth pranisë së policisë në Parlament

Punimet e sotme të parlamentit filluan më vonese për shkak të pranisë së pjesëtarëve të policisë së Kosovës në mjediset e Parlamentit. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se vendi nuk ka nevojë për dhunë policore, as forcë policore e as shtet policor.

Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi, që dëshiron ta burgos edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentin dhe krejt. Kush ia dha atë të drejtë?. Kërkoj nga kabineti qeveritar - kryeministri dhe ministri, mos t’i keqpërdorin ata djem dhe vajza që janë për ta mbrojtur demokracinë, lirinë dhe dinjitetin e vet dhe dinjitetin e institucionit të Kosovës - të mos i përdorim për interesa private të askujt”, tha zoti Krasniqi.

Një ditë më parë veprimtarët e lëvizjes vetëvendosje u përleshën me policinë gjatë një proteste kundër privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi tha se ai kishte urdhëruar ndërhyrjen e policisë, ndërsa sot nuk janë dhënë sqarime për praninë e saj në mjediset e Parlamentit.

Seanca u ndërpre sërish pasdite vonë, për shkak të përplasjeve që shpërthyen ndërmjet kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi dhe ministrit të brendshëm Bajram Rexhepi.
XS
SM
MD
LG