Lidhje

Parlamenti i Kosovës mbështet marrëveshjen me Serbinë


Kosovo, Parliament

Kosovo, Parliament

Në një seancë me shumë tensione, Parlamenti i Kosovës, i dha mbështetje marrëveshjes së arritur me Serbinë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Votimi me 89 vota për u bë me gjithë protestën e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje që mbanin në duar parulla kundër marrëveshjes.

Votimi ndodhi rreth orës një pas mesnate, meqë lëvizja Vetëvendosje pamundësoi disa herë votimin.

Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër marrëveshjes Kosovë - Serbi

Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër marrëveshjes Kosovë - Serbi


Pjesëtarët e kësaj lëvizjeje protestuan edhe para dyerve të parlamentit dhe paralajmëruan vazhdimin e protestave edhe në ditët në vazhdim kundër marrëveshjes

Të premten Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Marrëveshja thuhet se i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Sot, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do t’u raportojë ministrave të jashtëm të BE-së për rezultatet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës, në të cilën u debatua marrëveshja kaloi në shenjë të përplasjeve kryesisht ndërmjet Partisë Demokratike në pushtet dhe lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilëson marrëveshjen shumë të dëmshme.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, tha se marrëveshja nuk është ideale, por është më e mira e mundshme.

Kjo është marrëveshje për paqe mes Kosovë dhe Serbisë, përmes së cilës ne do të shtrijmë autoritetin tonë në tërë territorin e shtetin tonë. 14 vite pas luftës ne do t’i japim fund strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në vendin tonë. Me këtë marrëveshje, Serbia e ka pranuar këtë fakt”, tha kryeministri Thaci.

Marrëveshja mori mbështetjen nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Adhmërinë e Kosovës në opozitë, ndrërsa u kundërshtua ashpër nga lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se me këtë marrëveshje, Kryeministri Thaçi ka krijuar një “Republika Srpska” në Kosovë. Ai tha se duhet të ndërpriten të gjitha bisedimet me Serbinë dhe çdo dialog me të duhet të paraprihet nga plotësimi i kushteve.

Serbia duhet ta ndryshojë kushtetutën dhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet të kërkojë falje për të kaluarën. Serbia duhet të pushojë me diskriminimin, terrorin dhe shfrytëzimin ekonomik të shqiptarëve në Presheve dhe të pushojë së funksionuari me strukturat ilegale të sigurisë në Kosovë. Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës kriminelët e luftës dhe duhet të kompensojë dëmet e luftës”, tha zoti Kurti.

Edhe kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, tha se marrëveshja nuk garanton normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dëmton karakterin shumetnik të Kosovës dhe në njëfarë mënyre paraqet autonomi për serbët në veriun e Kosovës.

Vet fjala se po flitet për kompromis, kjo do të thotë se është shkuar përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që i kemi miratuar. Ajo çka po mungon këtu është emri i vërtetë i kësaj autonomie. Sa është e thellë kjo autonomi më 15 pikat që kemi në shqyrtim e kemi vështirë ta themi”, tha ai.

Parlamenti u mblodh në seancë të jashtëzakonshme të dielën në mbrëmje, meqë siç thuhej në kërkesën e kryeministrit Thaçi për këtë mbledhje, marrëveshja është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrim formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dyja vendeve, më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar për sot vendimin e saj rreth marrëveshjes në të cilën ka vënë siglën e tij kryeministri serb Ivica Daçiç.

Partitë serbe në pushtet i kanë dhënë mbështetjen e tyre marrëveshjes, ndërsa opozita i ka akuzuar për sic thuhet “tradhti” kryeministrin serb Ivica Daçiç dhe zëvendësin e tij Aleksandër Vuçiç.
XS
SM
MD
LG