Lidhje

Shtyhet seanca e parlamentit të Kosovës


E paraparë për të premtën, seanca u shty me kërkesë të Listës serbe, e cila pret këshillime shtesë me Beogradin pas paralajmërimeve se lëvizja Vetëvendosje mund të marrë përsipër bisedimet me Serbinë.

Seanca e Parlamentit të Kosovës e paraparë që të mbahet të premten më 12 shtator, shtyhet për të enjten më 18 shtator. Shtyrja pasoi kërkesën e Listës serbe, e cila kishte kërkuar këshillime shtesë me Beogradin, për shkak të sic është thënë, zhvillimeve të reja politike që pasuan përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin me Lidhjen Demokratike, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Kërkesa e Listës u shqyrtua në një takim të kryesueses së parlamentit, Flora Brovina me Partinë Demokratike dhe subjektet e pakicave kombëtare, ndërkaq takimi u bojkotua nga partitë tjera politike, të cilat thanë se është e panevojshmje shtyrja e seancës.

Shtyhet seanca e parlamentit të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:24 0:00

Të mërkurën drejtuesit e Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nënshkruan një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet mes tjerash se bisedimet me Serbinë, "janë përgjegjësi e qeverisë dhe se qeveria do të emërojë drejtuesin për procesin e dialogut nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, si dhe do të krijojë hapësirë për opozitën".

Bartja e përgjegjësisë për bisedimet tek kjo lëvizje ka nxitur shqetësime te komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, ndonëse partitë që lidhën marëveshjen thanë se ato do të vazhdojnë, ndërsa marrëveshja me Vetëvendosjen u tha se ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, ndërsa për ndarjen e pushtetit ekzekutiv pritet një marrëveshje e re.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, anuloi muajin e kaluar zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut, ndërsa tha se i takon Partisë Demokratike të propozojë kryetarin si grupi më i madh i dalë nga zgjedhjet e tetë qershorit. Partia Demokratike e cila ka 37 deputetë, nuk e ka aktualisht numrin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit, zgjedhje që kërkon të paktën 61 vota. Kjo parti kritikoi marrëveshjen e partive të tjera shqiptare e cila siç thuhet nuk ofron zgjidhje për situatën në vend dhe synon përfitime politike të humbësve të zgjedhjeve.

Zhvillimet e deritashme politike e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërkaq, derisa diplomatët perëndimorë thonë se nuk do të ndërhyjnë në këtë çështje, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, por siç është thënë, vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit.

Ajo u bëri thirrje të mërkurën sërish deputetëve, që të gjejnë zgjidhje për ta tejkaluar ngërçin politik pa ndërhyrje nga jashtë. Duke nënvizuar se Kosova po hyn në një periudhë të rëndësishme e vendimtare dhe se deputetët duhet të tregojnë pjekuri politike për tejkalimin e situatës presidentja Jahjaga tha se “krijimi shpejt i institucioneve do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve për një shtet të përparuar, të përgjegjshëm dhe të respektuar si dhe pjesë të familjes euroatlantike”.

XS
SM
MD
LG