Lidhje

Të enjten mblidhet Parlamenti i Kosovës


Partitë politike shkojnë në seancë me qëndrime të ndara rreth ndërtimit të institucioneve, në bazë të zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit.

Deputetët e Parlamentit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë pa ndonjë marrëveshje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik, në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare te tetë qershorit.

Në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet.

Kjo parti tashmë pret një pjesë të votave të pakicave kombëtare jo serbe e mbase edhe të Listës serbe që ka nëntë deputetë, e cila të mërkurën tha se nuk do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni në të cilin do të përfshihej lëvizja Vetëvendosje.

Lista serbe ndryshoi qasjen e saj ndaj bllokut të krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, për shkak se në marrëveshjen e këtyre partive për koalicion, parashihej që Vetëvendosje të merrte udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë.

Por, pavarësisht nëse do të ketë edhe mbështetjen e Listës serbe, Partia Demokratike nuk i ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit pa ndonjë marrëveshje politike, ndërsa partitë tjera shqiptare thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.

Vëzhguesit thonë se seanca e së enjtes mund të jetë e njëjtë me atë të 17 korrikut dhe pas kësaj Kosova mund të hyjë në një fazë të re të vështirësive edhe ashtu të mëdha për zgjidhjen e situatës.

Në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese tha se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, meqë kushtetuta nuk parasheh që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast të dështimit për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Por një mundësi e tillë nuk është përjashtuar, ndonëse asnjëra nga partitë politike nuk shprehet në favor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Nëse dita e sotme nuk çon në një zgjidhje, paralajmërohet mundësia e ndërhyrjes së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për të lehtësuar një dialog politik e mbase edhe i diplomacisë perëndimore e cila deri tash është përmbajtur duke bërë thirrje për një zgjidhje politike n ga ana e vet partive politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG