Lidhje

Shtyhet seanca e parlamentit të Kosovës


Kryesuesja e seancës, Flora Brovina, tha se shtyrja synon krijimin e hapësirës për një marrëveshje ndërmjet partive politike për formimin e institucioneve të reja

Seanca e parlamentit të Kosovës e caktuar për të enjten është shtyrë me kërkesë të deputetes më të vjetër, Flora Brovina e cila luan rolin e kryesueses së seancës.

Në një letër të zonjës Brovina dërguar deputetëve të parlamentit thuhet se “duke u bazuar në rolin kushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe fillimin e lehtësimit të procesit të arritjes së marrëveshjes politike me liderët e partive politike dhe me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, e konsideroj të nevojshme dhe domosdoshme shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses”.

Zonja Brovina u është referuar këshillimeve të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, me partitë politike në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga situata kur vendi është pa institucione që nga zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit.

Në një deklaratë të zyrës së presidentes thuhet se takimet e saj janë proces i veçantë që synon të lehtësojë diskutimet mes partive, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve.

Zyra e presidentes thekson faktin se Parlamenti i Kosovës është institucion plotësisht autonom. Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e presidentes për lehtësim të dialogut. Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e parlamentit. Presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit”, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentes në të cilën thuhet se ajo bën thirrje te të gjithë udhëheqësit politikë në vend që të përshpejtojnë gjetjen e zgjidhjes së çështjes për krijimin e institucioneve.

Shtyrja e seancës ka nxitur pakënaqësi tek Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, të cilat kanë themeluar një koalicion pas zgjedhor duke pretenduar shumicën në parlament.

Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të Kosovës të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet. Por, ajo nuk i ka votat e mjaftueshme për një gjë të tillë. Ndërkaq, partitë tjera politike shqiptare thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.

Tash për tash nuk është e qartë se kur mund të mbahet seanca e parlamentit.

XS
SM
MD
LG