Lidhje

Debate të rrepta në parlamentin e Kosovës


Opozita bojkotoi seancën meqë nuk u miratua kërkesa për të diskutuar çmimin e energjisë elektrike. Bojkotimi u parapri nga debate të ashpra për një protestë të paralajmëruar nga opozita.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, bojkotuan të enjten vazhdimin e seancës së parlamentit të Kosovës për shkak të mosmiratimit të kërkesës së tyre për të futur ne rend të ditës diskutimin mbi shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Debate ne parlamentin e Kosoves
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Ata paralajmëruan mundësinë e vazhdimit të bojkotimit edhe të seancave tjera nëse nuk përfillen kërkesat e tyre. Kërkesa për debat bazohej në peticionin e nënshkruar nga 35 mijë qytetarë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Përfaqësues të opozitës thanë se “është urgjente që të ndodhë ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe të jepet llogari për dy rritjet e fundit të saj”.

Bojkotimi pasoi një debat me tone të ashpra rreth paralajmërimeve të opozitës për mbajtjen e një proteste të shtunën në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, do të protestojnë më 18 prill, për siç thuhet largimin e ndikimit të qeverisë mbi institucionet e pavarura.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se në Kosovë çdo herë ka pasur arsye të protestohet, por u bëri thirrje opozitës që të protestojnë në mënyrë paqësore.

“Ne e dimë se diçka tjetër po deklaroni në publik për demonstratë paqësore dhe diçka tjetër po organizoni në terren për përdorimin e dhunës në demonstratë, për realizimin e qëllimeve politike. Unë ju ftoj dhe në të njëjtën kohë ju konfirmoj se nuk do të mund të realizoni qëllimet as me shantazh dhe as me një përpjekje të tipit të revolucioneve proletare, këtu në Kosovë përcakton se kush qeverisë, vota e lirë e qytetarit, vullneti i qytetarit dhe jo ambicia e dikujt tjetër”, tha zoti Thaçi.

Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje ndërkaq u bëri thirrje zyrtarëve qeveritar që bëjnë punën e tyre dhe të mos kenë frikë nga protesta.

“Thaçi foli për pushtetin, do të thoshim si zakonisht. Se si këto protesta paskan qëllim që ta marrin pushtetin me dhunë, prapë do të thoshim frika e tij e zakonshme. Por, ka diçka më të pazakontë në këtë shpërthim të ti, shpërfaqja e realitetit e të cilën e kanë të qartë të gjithë. Realitetin e kapur nga pushteti. Natyrisht që Thaçi reagon kështu dhe pikërisht me këto fjalë, çfarëdo kërkese për çliruar shtetin e zaptuar atij i tingëllon sikur synim për t’ia marr pushtetin, pushtetin që ushtrohet nëpërmjet zaptimit dhe ku ky është zaptuesi”, tha zoti Ymeri.

Shqetësimet për një protestë të dhunshme janë ngritur pasi që në janar të këtij viti protesta e partive opozitare për shkarkimin e një ministri serb që mohoi krimet e luftës në Kosovë u përfshi nga dhuna më e ashpër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Të tri partitë politike opozitare thonë se protesta është thirrur pasi që zëri i tyre nuk po dëgjohet nga institucionet e vendit. Ndërsa nga vëzhguesit është cilësuar si një përpjekje për të rritur ndikimin e tyre kundruall sfidave që e presin Kosovën muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG