Lidhje

Opozita qëllon me vezë kryeministrin e Kosovës


Deputetët opozitarë hodhën vezë mbi kryeministrin Isa Mustafa në fillim të raportimit të tij për marrëveshjet me Serbinë

Parlamenti i Kosovës, ndërpreu punimet pasi që partitë opozitare pamundësuan raportimin e kryeministrit Isa Mustafa lidhur me marrëveshjet e arritura më 25 gusht në bisedimet me Serbinë. Që nga ora 11 e paradites seanca u ndërpre disa herë. Fillimisht deputetët nga radhët e partive opozitare qëlluan me vezë mbi kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa sapo filloi fjalën e tij.

Opozita tha se veprimet e saj ishin në funksion të pengimit të kryeministrit që, siç thuhet, “të mashtrojë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit”.

Ndërsa, deputetët e koalicionit qeverisës i cilësuan të papranueshme veprimet e deputetëve opozitar.

Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi. Opozita thotë se është e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës.

Deputetët e partive opozitare nuk lejuan vazhdimin e seancës së parlamentit të Kosovës

Deputetët e partive opozitare nuk lejuan vazhdimin e seancës së parlamentit të Kosovës

Seanca e sotme e parlamentit u ndërpre pak para orës 17 meqë disa përpjekje për rifillimin e saj dështuan për shkak se deputetët e opozitës nuk e lejuan një gjë të tillë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa, duke e cilësuar atë të të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë. Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje deputetëve dhe subjekteve politike që t'i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t'i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë.

Qeveria e Kosovës tha në reagim se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të të bërit opozitë që dëmtojnë interesat e Kosovës.

Amabasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie tha në një postim në rrjetin social twitter se “rruga e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike kërkon respektim të procedurave dhe bashkëpunim rajonal dhe jo marifete politike|.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pret ende nënshkrimin e Prishtinës dhe Brukselit.

XS
SM
MD
LG