Lidhje

Gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës


Partitë opozitare bllokuan seancën e parlamentit të Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës. Shumica parlamentare rifillio pasdite seancën pa praninë e opozitës.Diplomatët bëjnë thirrje për dialog politik

Partitë opozitare bllokuan sërish të hënën seancën e parlamentit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kosove, incidente ne parlament
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Deputetët e partive opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës në sallën e mbledhjeve të parlamentit duke pamundësuar fillimin e saj.

Policia e Kosovës, shoqëroi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, pasi që tek ai u gjetën dy bombola, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.

Deputetët e opozitës hodhën gaz edhe në korridorin e parlamentit. Policia shoqëroi ndërkohë edhe deputetin e lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi dhe atë të Nismës për Kosovën, Haxhi Shala.

Pas disa orësh, deputetët e shumicës vazhduan seancën pa praninë e deputetëve të opozitës.Kryesia e parlamentit tha se “mori vendim për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit, me përjashtim të deputetëve Shukrije Bytyqi dhe Ilir Deda”.

Partitë opozitare e cilësuan të jashtëligjshëm përjashtimin e tyre nga seanca ndërsa akuzuan qeverinë për vendosje të pushtetit policor.

Parlamenti u mblodh dy ditë pas një operacioni të forcave të posaçme të policisë së Kosovës në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç ‘rast u arrestuan mbi 90 aktivistë të kësaj lëvizjeje, përfshirë këtu edhe deputetin Albin Kurti.

Opozita e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e policisë së Kosovës ditën e shtunë në selinë e lëvizjes Vetëvendosje për të arrestuar deputetin e saj, Albin Kurti, ndaj të cilit ditë më parë është lëshuar një urdhër arresti për shkak të veprimeve gjatë protestave të opozitës në parlamentin e Kosovës, kundër marrëveshjeve me Serbinë. Një gjykatë në Prishtinë i caktoi zotit Kurti masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Arrestimi i zotit Kurti të shtunën pasoi protestën e partive opozitare që bën thirrje për anulimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të dielën se zgjidhjet për çdo shqetësim duhet të gjenden përmes dialogut në kuadër të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të vendit. Presidentja Jahjaga bën thirrje për vendosjen e dialogut politik ndërmjet të gjitha subjekteve politike të vendit, me qëllim të shmangies së përdorimit të dhunës dhe të imponimeve si mjet të zgjidhjes, që rrjedhimisht siguron rendin demokratik në vend.

Qeveria e Kosovës ritheksoi gatishmërinë për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Në një njoftim të qeverisë thuhet se ajo është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke siguruar ballafaqimin e argumenteve të Komisionit shtetëror dhe të opozitës.

Opozita, për më shumë se dy muaj ka bllokuar punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj këtyre marrëveshjeve. Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij, ndërsa protesta të përshkuara me përplasje të dhunshme kanë ndodhur edhe në rrugë.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Diplomatët e BE-së në Prishtinë – bëjnë thirrje për dialog politik

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të BE-së, bënë thirrje të hënën për dialog politik në Kosovë në funksion të shmangies së shkallëzimit të situatës politike.

Ata i bënë këto komente në një deklaratë të përbashkët pas zhvillimeve të së hënës në parlament ku sërish opozita hodhi gaz lotsjellës për të penguar punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe asaj për kufirin me Malin e Zi.

Kjo lloj bllokade e dhunshme nuk është as e pranueshme e as që do të zgjidhë ndonjë prej problemeve të qytetarëve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje për kthim të dialogut në jetën politike në përgjithësi dhe në parlament në veçanti, për të parandaluar çdo shkallëzim të mëtejmë të dhunës që mund të shpie në dëmtim të pronës dhe jetës së njerëzve. Qytetarët kanë nevojë që parlamenti në tërësi dhe institucionet të punojnë për të adresuar sfidat ekonomike, sociale dhe çështjet e tjera të përditshme me të cilat ballafaqohen ata”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë diplomatët thanë se “sjellja paqësore e opozitës në protestën e të shtunës është një shembull i mënyrës demokratike të shprehjes së pakënaqësive lidhur me çështjet politike dhe është një dëshmi që Kosova dhe liderët e saj politikë janë në gjendje të angazhohen në një dialog politik përmes mjeteve demokratike”.

Në deklaratë thuhet se është e rëndësishme që institucionet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore si dhe që partitë politike dhe politikanët të ushtrojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushëveprimit të përcaktuar me ligj.

Askush nuk është mbi ligjin, dhe ligji duhet të zbatohet njësoj nga të gjithë. Në një shoqëri që qeveriset nga parimet e sundimit të ligjit, vendimi i një organi gjyqësor duhet të respektohet dhe të zbatohet pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Njëkohësisht, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, institucionet e kanë për detyrim që të sigurojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut të personave në fjalë”, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG