Lidhje

Kosovë: Sërish gaz lotsjellës në parlament


Gazi lotsjellës nuk i është ndarë parlamentit të Kosovës gjatë tërë ditës. Deputetët e shumicës parlamentare në Kosovë, filluan pasdite seancën në një sallë alternative pasi që partitë opozitare hodhën gaz lotsjellës në sallën kryesore duke pamundësuar mbajtjen e seancës në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e partive opozitare hodhën gaz lotsjellës vetëm pak sekonda pas fillimit të seancës së parlamentit.

Kryesia e parlamentit vendosi pezullimin e pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës përveç gjashtë prej tyre. Gaz lotsjellës u hodh edhe në mbledhjen e kryesisë së parlamentit të Kosovës dhe pas kësaj partitë e koalicionit qeverisës u mblodhën në sallë alternative.

Grupe veprimtarësh të partive opozitare hodhën gurë dhe ngjyrë mbi ndërtesën e parlamentit dhe mbi policinë e cila arrestoi tre veta.

Në hijen e zhvillimeve brenda dhe jashtë parlamentit, partitë shumicë miratuan me 78 vota buxhetin prej rreth 1.7 miliardë eurosh, si dhe një numër ligjesh të tjera.

Por, edhe seanca ne sallën alternative u ndërpre për rreth dy orë nga gazi lotsjellës që u hodh nga disa deputetë të opozitës që u lejuan të hyjnë në seancë.

Opozita thotë se nuk do të heq dorë nga kundërshtimi i marrëveshjes së arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas tyre, cenojnë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Partitë opozitare akuzojnë qeverinë për vendosje të pushtetit policor, meqë tetë deputetë të opozitës janë në paraburgim, nën masa të arrestit ose në procedurë gjyqësore për shkak të veprimeve në parlament.

Qeveria ka bërë thirrje për hapje të dialogut politik, por opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, u shpreh i zhgënjyer me zhvillimet e së hënës në parlament. Ai përmendi me këtë rast vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Kosovë dhe thirrjet e tij për të shmangur veprimet e dhunshme në parlament.

“Është zhgënjyese që njerëzit nuk i kanë dëgjuar thirrjet e tij”, tha ambasadori amerikan, i cili u shpreh i shqetësuar edhe me praninë në parlament të dy deputetëve të opozitës ndaj të cilëve është në fuqi masa e arrestit shtëpiak. Ligjet vlejnë për secilin qytetar të Kosovës tha ambasadori amerikan.

Për fund do të doja të thosha diçka për rritjen e retorikës nacionaliste dhe ksenofobike ditët e fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaft retorikë të tillë, dhe shpresoj të marrë fund përfundimisht", tha ambasadori amerikan.

Marrëveshjet me Serbinë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që aspirojnë integrimet evropiane. Ato i siguruan Kosovën marrëveshjen e stabilizim asociimit, ndërsa Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që hapen të hënën në mbrëmje në Bruksel.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG