Lidhje

Thaçi: Brukseli i padrejtë ndaj shqiptarëve


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në BE ka ende burokratë që i trajtojnë shqiptarët njëlloj siç janë trajtuar në ish Jugosllavi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, tha sot se shqiptarët mund të shkojnë në Bashkimin Evropian si një shtet i vetëm, nëse nuk ndryshon qasja e Brukselit ndaj tyre.

Ai i bëri këto komente në Parlamentin e Kosovës, pas kritikave që ju bënë qeverisë së tij për dështim në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët Kosovës.

Të martën Komisioni Evropian tha se problemet me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, radhiten në mesin e pengesave kryesore për Kosovën që të përfshihet në këtë proces.

Në raportin e këtij komisioni rreth vlerësimit të punës së institucioneve për përmbushjen kritereve për liberalizim. thuhet mes tjerash se, mundësitë aktuale të Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mbeten të kufizuara dhe më një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian.

Qeverisë i janë paraqitur rreth 70 rekomandime që duhet përmbushur deri në përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

I gjetur nën kritikat e opozitës, kryeministri Thaçi, tha se problemi qëndron në Bruksel dhe në zbatimin e një politike të padrejtë ndaj shqiptarëve.

Në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të kategorisë së dytë. Për fat të keq, ka ende burokratë në Bruksel që i trajtojnë shqiptarët me nostalgjinë e Jugosllavisë, apo të (Josip Broz) Titos, apo të Serbisë, me atë prizëm. Kjo është e vërtetë, e them me përgjegjësi të plotë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Diçka të tillë që po e bëj publike, që e kam thënë edhe në takime të mbyllura me zyrtarët e Brukselit”, tha kryeministri Thaçi

Ai tha se shqiptarët do të shqyrtojnë rrugë të tjera nëse nuk ndryshon qasja ndaj tyre. “Nëse vonohet dhe vazhdon të sillet kështu Brukseli, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet tjetër alternativë vetëm të akomodohen në Bashkimin Evropian më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm”, tha kryeministri Thaçi.

Në zyrën e Bashkimit Evropian nuk deshën të komentojnë qëndrimet e kryeministrit Thaçi.

Komisioni Evropian hapi bisedimet me Kosovën për liberalizimin e vizave në janar të vitit të kaluar, por në raportin e parë u tha se vendi ka ende shumë punë për të bërë.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropën Juglindore jashtë këtij procesi dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në shumë pak vende pa viza.
XS
SM
MD
LG