Lidhje

Mustafa: Nuk dinim për ngjarjet në Kumanovë


Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka hedhur poshtë njoftimet se Agjencia e Zbulimit kishte informuar autoritetet për mundësinë e incidenteve në Maqedoni

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa mohoi të ketë pasur informacione paraprake për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë më 9 dhe 10 maj.

Në një komunikatë të zyrës së tij thuhet se kryeministri Mustafa ka shprehur shqetësimin lidhur me siç thuhet “tendencat për manipulimin e opinionit se gjoja kryeministri ka pasur informata nga Agjencia e Inteligjencës lidhur me ngjarjet që mund të ndodhnin në Kumanovë”.

Opozita në Kosovë pohon se autoritetet kishin informacione të sakta nga Agjencia e Zbulimit për lëvizje të personave të armatosur nga Kosova në Maqedoni dhe se informacionet e tilla janë shpërndarë që në muajin shkurt.

Në komunikatën e zyrës së kryeministrit thuhet se “po që se kryeministri i Republikës së Kosovës do të dispononte me informata të tilla, jo vetëm që me urgjencë do të kërkohej nga institucionet e sigurisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet parandaluese, por një gjë e tillë do të kërkohej edhe nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të parandalimit të humbjes së jetës së njerëzve dhe dëmtimit të pronës”.

Kryeministri i Kosovës bën thirrje më ketë rast “për përmbajtje nga ndërhyrjet në punën e pavarur të organeve të drejtësisë, duke konsideruar se ndërhyrjet e tilla nuk i shërbejnë sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilin do të duhej të ishim të përkushtuar të gjithë”.

Po ashtu ai bën thirrje për një hetim të pavarur, objektiv dhe gjithëpërfshirës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe pasojave të cilat kanë çuar në viktima në njerëz dhe dëme të shumta të pronave dhe për shkak të rrethanave, ky hetim të mbështetet edhe nga organet e drejtësisë ndërkombëtare.

Autoritetet e rendit në Kosovë thanë se në bazë të informacioneve që kanë marrë nga Shkupi zyrtar, nëntë shtetas të Kosovës kanë humbur jetën në ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, ndërsa 21 shtetas të tjerë të Kosovës janë të arrestuar.

XS
SM
MD
LG