Lidhje

Mustafa: Im vëlla kishte kërkuar strehim në Gjermani


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të dielën se i vëllai ishte në mesin e strehim kërkuesve nga Kosova, pjesë e valës së migrimeve të fillimit të vitit 2015

Pohimi i kryeministrit pasoi një shkrim në faqen e internetit, Insajderi.com, i cili raportoi të shtunën se Ragip Mustafa, kishte kërkuar strehim në Gjermani.

Sipas një dokumenti të publikuar në këtë faqe, ai kishte bërë kërkesë për strehim më 25 qershor të vitit 2015, pak ditë para se i vëllai kryeministër të pritej nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin. Kërkesa për strehim kishte pasuar refuzimin e tij nga autoritetet franceze.

"Kjo është e vërtetë", shkroi të dielën në faqen e tij në rrjetin social facebook, kryeministri Mustafa. "Më vonë jam informuar nga familja e vëllai, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për tu shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë", shkruan kryeministri Mustafa.

"Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mbesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit", shkruan mes tjerash kryeministri Mustafa.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës kërkuan strehim në fund të viti 2014 dhe në pjesën e parë të vitit 2015 në vendet e Bashkimit Evropian, madje sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, ata përbënin grupin e katërt më të madh të strehim kërkuesve pas sirianëve, afganëve dhe irakianëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG