Lidhje

Mustafa: Të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen e arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa u shpreh i gatshëm të diskutojë me partitë opozitare edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai i bëri këto komente duke vlerësuar situatën politike në Kosovë të krijuar pas kundërshtimit të opozitës ndaj këtyre dy marrëveshjeve. Skena dhune kanë përshkuar për dy muaj me radhë protestën e opozitës në parlament dhe në rrugë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjeve.

Kryeministri Mustafa tha se e sheh opozitën si “partnere në përmbushjen e obligimeve ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, prandaj unë edhe sot përmes jush e ftoj opozitën që të vijnë në tempullin e demokracisë, në Kuvendin e Kosovës, për të kuvenduar lidhur me të gjitha çështjet, sepse qytetarët me të drejtë presin që ne t’i zgjidhim problemet e tyre dhe jo të merremi me problemet tona. Nuk e gjejmë asnjë rast në demokracinë evropiane kur deputeti shërbehet në mënyrë sistematike me gaz lotsjellës në sallën e Parlamentit, ose kur deputeti sulmon kryeministrin me sprej që për efekt ka paralizimin momental, dhe po ashtu, këta deputetë thirren se po shërbehen me metoda demokratike. Janë këto metoda të pastra të dhunës për të arritur qëndrime dhe objektiva politike”.

Ai tha se themelimi i asociacionit nuk është çështje e vullnetit të tij personal apo dikujt tjetër.

Themelimi është rezultat i cili derivon nga Ligji që në Kuvendin e Kosovës është votuar në vitin 2013, me të cilën është ratifikuar Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe me votat e atyre që sot po kundërshtojnë themelimin e këtij asociacioni”.

Dy javë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi “masën e përkohshme” me të cilin pezullon zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe deri në vlerësimin e përputhshmërisë së saj me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e bërë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga për “vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë me frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

Vendimi i Presidentes Jahjaga nxiti reagimin e Beogradit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Opozita e cilësoi pezullimin e marrëveshjes si një fitore të saj, por ka theksuar se nuk i beson Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri Mustafa tha të martën se askush nuk mund të marrë përsipër rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si nënshkrues i asaj marrëveshje, jam i gatshëm të pranoj dhe zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kam nënshkruar vetëdijshëm se interpretimin do ta bëjë Gjykata Kushtetuese, sepse për atë kemi insistuar, si unë, po ashtu edhe ekipi i Kosovës në negociatat e gjata për Marrëveshje në Bruksel. Prandaj, mendoj se kam plotësisht të drejtë të kërkoj edhe nga opozita ta pres me qetësi vendimin e Gjykatës, dhe ta zbatoj atë vendim”.

Edhe marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e ka rrugëzgjidhjen e vetë, tha kryeministri Muatafa. “Dëshiroj t’iu njoftoj se si kryeministër i Kosovës kam kërkuar nga Bashkimi Evropian mbështetje për ekspertizë profesionale, për procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Të njëjtën gjë do ta kërkoj edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që në prezencë të ekspertëve të Komisionit qeveritar dhe të ekspertëve nga opozita, të vlerësohet procedura e shënimit, përfshirë edhe dokumentacioni i cili është shfrytëzuar për shënimin e kufirit”, tha kryeministri Mustafa.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë mirëpriti gatishmërinë e kryeministrit Mustafa “për të reflektuar”.

Nëse kryeministri është i gatshëm që ta zgjidhë këtë çështje, atëherë nuk është e nevojshme të komplikohen gjërat. Ai duhet ta shkarkojë komisionin ekzistues, duhet ta zhvlerësojë punën e tij dhe tek më pastaj të krijohet një komision i ri, edhe me ekspertë ndërkombëtar edhe me ekspert vendor. Nëse në një situatë të tillë, kërkohet që ne të jemi pjesë e atij komisioni, sigurisht se ne do te jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë”, thuhet në një reagim të kësaj partie.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG