Lidhje

Kosovë: Kryeministri Mustafa fton opozitën në bisedime


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u bëri ftesë zyrtare udhëheqësve të opozitës për një takim më 7 dhjetor për të diskutuar rrugëdaljen nga situata aktuale e cila krijuar pas kundërshtimit të opozitës ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për kufirin me Malin e Zi.

Kryeministri Mustafa tha të premten se ka ftuar në një takim Visar Ymerin nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limajn nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrin e tij, Hashim Thaçi.

Kosovë: Kryeministri Mustafa fton opozitën në bisedime
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:23 0:00

Jam i bindur thellë se, në rrugën e ndërtimit të shtetit tonë, ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon, për një Kosovë demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, ku të gjithë qytetarët do të kenë siguri, stabilitet dhe perspektivë, për një të ardhme euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit tonë demokratik”, tha kryeministri Mustafa.

Ai tha se qeveria ka mirëpritur vendimin e presidentes Atifete Jahjaga për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Si kryeministër i vendit, jam zotuar se do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si arbitër përfundimtar i vlerësimit kushtetues të të gjitha akteve juridike, dhe i kam siguruar dhe i siguroj se ky Asociacion mund të bëhet vetëm në përshtatshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e Kosovës, ashtu siç është përcaktuar edhe me Marrëveshje”, tha ai.

Sa i përket shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, “qeveria e Kosovës, është e gatshme që të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror dhe përfaqësuesit e spektrit opozitar, do të kenë qasje të plotë në procedurën dhe tërë dokumentacionin e shfrytëzuar, lidhur me shënimin e kësaj vije kufitare, për t’u siguruar lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi”, tha ai duke nënvizuar se deri në përmbylljen e këtij procesi, qeveria nuk do ta dërgonte marrëveshjen për ratifikim në parlament.

Udhëheqësit e partive opozitare, thanë pas një takimi në orët e mbrëmjes se duhet të anulohen marrëveshjet dhe të lirohen deputetet, pastaj të diskutohet.

Diskutuam për propozimin e Mustafës. Ky propozim ka pas kuptim me 26 gusht. Sot ky propozim është i thate dhe jo përmbajtjesor. Ne nuk pranojmë një takim te tille. Propozimi ynë është anulimi i këtyre marrëveshjeve dhe lirimi i atyre qe u arrestuan duke kundërshtuar këto marrëveshje”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Opozita kundërshton marrëveshjet dhe për më shumë se dy muaj bllokoi seancat e parlamentit. Gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës përshkuan seancat e parlamentit, ndërsa përplasje të dhunshme pati edhe në protestat në rrugë. Ato akuzuan qeverinë për vendosje të shtetit policor për shkak të masave që janë ndërmarrë ndaj deputetëve opozitar. Pesë prej tyre janë në paraburgim ose nën masën e arrestit shtëpiak.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha zoti Kerry.

XS
SM
MD
LG