Lidhje

Kosovë: Arrestohet shoferi i një makine me mjete shpërthyese


Policia tha se një shtetas i Serbisë u arrestua në Prishtinë pasi në makinën e tij u gjet material shpërthyes. Prokuroria dyshon se ai po planifikonte sulm terrorist.

Në Kosovë, policia tha se ka arrestuar gjatë natës një person, pasi që në makinën e tij është gjetur materie shpërthyese.

Policia tha se duke u mbështetur në njoftimet paraprake të shërbimit të zbulimit, kishte ndaluar një makinë në lagjen Arbëria të Prishtinës, një zonë ku janë të përqendruara ambasadat e huaja.

Makina me targa të Beogradit, drejtohej nga një shtetas i Serbisë. Pas kontrollit, në makinë edhet gjetur material shpërthyes”, tha një zëdhënës i policisë.

Prokuroria e posaçme e Kosovës, tha se i arrestuari dyshohet për veprën penale: “përgatitje e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.

Sipas prokurorisë sasia e madhe e eksplozivit që është gjetur në makinën e tij, dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e veprimeve terroriste.

Pas arrestimit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar me kryeministrin Isa Mustafa dhe drejtuesit e policisë dhe Agjencisë ë Zbulimit për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend.

Në një njoftim të zyrës së presidentes thuhet se ajo ka vlerësuar policinë e Kosovës për “profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Ajo ka kërkuar mekanizmat e sigurisë që të rrisin shkallën e sigurisë së përgjithshme në Kosovë ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit.

Njëkohësisht, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet”, thuhet në njoftimin e presidentes Jahjaga.

Edhe qeveria e Kosovës u zotua se do të bëjë gjithçka në çdo moment për të siguruar jetën e qytetarëve të saj dhe për të garantuar sigurinë e vendit. Ajo këkron nga vendet e rajonit bashkëpunim në këtë situatë, ndrysa shpreh përkushtimin që Kosova të jetë vend i paqes e tolerancës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG