Lidhje

Ish policët e Serbisë duan të integrohen në policinë e Kosovës


Një grup i ish punonjësve të policisë së Serbisë, protestuan të hënën në veriun e Mitrovicës duke kërkuar integrimin në policinë e Kosovës

Në veriun e Kosovës një grup prej dhjetra ish punonjësish të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, protestuan sot duke kërkuar integrimin e tyre në policinë e Kosovës, ose ri punësimin e tyre në organet serbe të sigurisë.

Protestuesit që kanë mbetur jashtë procesit të integrimit në policinë e Kosovës, mbajtën të bllokuar për një kohë stacionin e policisë në veriun e Mitrovicës ku ndodhet edhe selia e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Integrimi i rreth 300 pjesëtarëve të policisë serbe që vepronin në veriun e Kosovës ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Integrimi i tyre kishte filluar në dhjetor të vitit 2013 dhe ai ishte paraprirë nga shkëputja e kontratave të punës me autoritetet e Beogradit.

Shpërbërja e strukturave të policisë nuk ka shënuar ende edhe përfundimin e veprimit të strukturave tjera të sigurisë dhe të drejtësisë të mbështetura nga Beogradi. Më 19 shkurt palët anë pajtuar për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovë, por, kryeministri Isa Mustafa tha se nuk do të shkohet më tej para se të shpërbehen të gjitha strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces të cilin ajo e siguroi nëpërmjet bisedimeve me Kosovën, e cila pret që gjatë këtij viti të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG