Lidhje

Operacion i gjerë arrestimesh në Kosovë


Policia tha se janë arrestuar 15 persona, përfshirë edhe imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës

Të mërkurën policia e Kosovës ndërmori një operacion të gjerë për arrestimin e personave të dyshuar, për “vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Arrestimet ne Kosove
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:41 0:00

Gjatë këtij operacioni janë bastisur gjashtëmbëdhjetë vende dhe janë arrestuar pesëmbëdhjetë persona, në mesin e tyre edhe imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe drejtues të Lëvizjes Islame Bashkohu e njohur si LISBA.

Ndonëse policia nuk ka bërë të ditur identitetin e plotë të të arrestuarve, në mesin e tyre mësohet se janë edhe Shefqet Krasniqi, imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe nënkryetari i Lëvizjes Islame Bashkohu, Fuad Ramiqi.

Policia tha se në cilësi të provave “janë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë pajisje elektronike si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin”.

Në komunikatën e policisë thuhet se ajo “dëshiron të njoftojë qytetarët për rrezikun që i kanoset çdokujt që merr rrugë për t’iu bashkangjitur organizatave të dyshuara që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut, ku deri më tani disa persona nga Kosova janë deklaruar të vrarë. Një pjesë e madhe e këtyre organizatave siç janë Al-Nusra dhe ISIS, janë të shpallura organizata terroriste nga organizmat ndërkombëtarë si dhe të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore, andaj Policia e Kosovës u thirrje të gjithë personave që mos të bien pre e joshjeve dhe indoktrinimeve ideologjike dhe për çdo rast të njoftojnë policinë e Kosovës”.

Në të kundërtën, thuhet në komunikatë, “policia e Kosovës duke u bazuar në mandatin ligjor do të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar dhe për të luftuar çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, përfshirjes së individëve në aktivitete kriminale në organizata apo grupe terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme përkrahin, financojnë, rekrutojnë apo nxisin urrejtje kombëtare, racore apo fetare”.

Arrestimet janë mbështetur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila nëpërmjet një komunikate vlerësoi se “veprimet e mekanizmave të sigurisë - të cilat kanë për qëllim pengimin e veprimtarive ilegale, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe rreshtimin në kauza ekstremiste të qytetarëve të Kosovës - po bëhen që në vazhdimësi të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e pakërcënuar nga dukuritë që kanë për qëllim cenimin e vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tone dhe traditën e gjatë të harmonisë fetare”.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës “e kuptojnë seriozisht përgjegjësinë për të vepruar ndaj kësaj kanosjeje globale në përputhje me vullnetin dhe përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një vendi tolerant dhe kontribuues të stabilitetit e sigurisë kolektive, një vend të pa kompromis ndaj thirrjeve për rrënim të rendit kushtetues që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut apo aktivitetet qe kërcënojnë paqen e stabilitetin”.

Operacioni i sotëm është përshëndetur nga ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson e cila përmes një postimi në rrjetin social Twitter e vlerësoi qasjen e Kosovës ndaj luftëtarëve të huaj dhe ekstremizmit.

Bashkësia Islame e Kosovës tha se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa lëvizja Islame Bashkohu tha se “arrestimet janë politike”.

Muajin e kaluar policia arrestoi mbi 40 persona nën dyshimet për vepra penale, ”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Një pjesë e tyre dyshohet si ishin përfshirë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë, Al Nusra dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit.

Operacioni i filluar më 11 gusht ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Operacioni qe mirëpritur nga institucionet vendase e ndërkombëtare si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës e cila bëri thirrje kundër atyre që përkrahin e nxisin gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të besimit.

XS
SM
MD
LG