Lidhje

Arrestohen 2 deputetë të Vetëvendosjes

  • Leonat Shehu

Lëvizja Vetëvendosje tha të martën se policia ka arrestuar deputeten e parlamentit të Kosovës nga radhët e kësaj lëvizjeje, Albulena Haxhiu, në mëngjes dhe më vonë edhe deputetin Faton Topali.

Në njoftimin e kësaj lëvizjeje thuhet se “kjo qeveri kriminale, PDK-LDK-Srpska, po e përdor secilin mjet për ta shtypur opozitën ashtu që t’i realizojë projektet e Serbisë në Kosovë”.

Ndaj zonjës Haxhiu dhe zotit Topalli kishte një urdhër arresti për shkak të veprimeve të tyre në parlamentin e Kosovës që është bllokuar nga opozita që nga 22 shtatori në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes së arritur ne bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të dyja këto marrëveshje opozita i vlerëson të dëmshme për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës në parlament në disa raste për të penguar punën e tij.

Lëvizja Vetëvendosje përsëriti të martën se “opozita e bashkuar nuk do të ndalet deri në tërheqjen e marrëveshjeve”.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon t’i tërheqë marrëveshjet, atëherë lë t’i hedhë në referendum, dhe le të vendos populli i Kosovës për to. Nëse as referendumin nuk guxon ta organizojë, atëherë duhet që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Këto qëndrimet opozita i shprehu të hënën në një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka ripërtërirë përpjekjet për vendosjen e dialogut politik për tejkalimin e situatës në vend.

Partitë opozitare refuzuan një kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, ndërsa bënë thirrje për lirimin e deputetëve të opozitës që janë arrestuar ose mbahen në arrest shtëpie lidhur me veprimet e tyre në parlament.

Kryeministri u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi.

Ai po ashtu tha se qeveria është e gatshme që të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror dhe përfaqësuesit e spektrit opozitar, do të kenë qasje të plotë në procedurën dhe tërë dokumentacionin e shfrytëzuar, lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi dhe se deri në përmbylljen e këtij procesi, qeveria nuk do ta dërgonte marrëveshjen për ratifikim në parlament.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Të hënën në mbrëmje, Komisioni për politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian diskutoi në leximin e parë raportin e zëvendëskryetares së Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek, në cilësinë e raportueses për Kosovën.

Ulrike Lunacek

Ulrike Lunacek

Ajo tha se gazi lotsjellës në parlamentin Kosovës, hedhja e vezëve apo ngjyrës, nuk janë metoda të pranueshme dhe ritheksoi thirrjet për dialog politik.

Në projekt raportin e zonjës Lunacek vihet theksi tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ndërsa u bëhet thirrje forcave politike që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të rifilluar punën parlamentare dhe të angazhohen në dialog konstruktiv në interes të shtetit dhe të qytetarëve.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat pritet të hapen javën që vjen, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Në raportin e zonjës Lunacek shprehet keqardhja për refuzimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për rolin pengues nga ana e Serbisë, e cila është në kundërshtim me përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Zonja Lunacek shpreh keqardhjen edhe për mungesën e unitetit brenda Bashkimit Evropian për këtë çështje ndërsa u bëhet thirrje 5 vendet anëtare të këtij blloku që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Në raport shprehet keqardhja për mënyrën e organizimit të vizitës së para do ditshme të shefit të ushtrisë së Serbisë në Kosovë, Lubisha Dikoviç në Prishtinë me ftesë të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Në raport thuhet se në të ardhmen duhet të shmangen ftesat e tilla që të fyenin ndjenjat e viktimave dhe të dëmtonin dialogun.

Lubisha Dikoviç, akuzohet nga Fondi për të Drejtën humanitare me seli në Beograd për krime lufte në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG