Lidhje

Kosovë: Arrestime për krim të organizuar


Policia e Kosovës arrestoi 17 persona dhe është vënë në kërkim të pesë të tjerëve nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar

Në Kosovë policia tha se ka arrestuar 17 persona nën dyshimet për përfshirje në veprat penale: krim të organizuar, kontrabandë të mallrave dhe evazion fiskal.

Në një njoftim të policisë thuhet se arrestimet janë rezultat i hetimeve që po kryhen që muaji maj i vitit 2014, lidhur me “veprimtarinë kriminale të një grupi, të strukturuar dhe të organizuar mirë, që në vazhdimësi merrej me kontrabandë të mallrave përkatësisht derivateve të naftës, vajrave, cigareve dhe mallra të tjera”.

Arrestimet janë kryer gjatë nje operacioni në shkallë të gjerë në 38 pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe dy komuna në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Sipas policisë, të dyshuarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, shfrytëzonin rrugët nga Serbia përmes kalimeve të paligjshme të kufirit verior të Kosovës dhe pastaj transportonin mallra në pjesët e tjera të vendit.

Gjatë hetimeve janë identifikuar 22 të dyshuar, pesë nga të cilët ende ndodhen në arrati.

Gjatë operacionit të së mërkurës janë konfiskuar prova të rëndësishme materiale, përfshirë edhe armë e para.

Në operacion ishin angazhuar mbi 400 pjesëtarë të forcave të rendit.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit radhitet si një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës dhe një nga kriteret themelore në synimet e saj për integrime evropiane.

Javën e kaluar, Kosova u radhit në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit në raportin e organizatës ndërkombëtare “Transparency International”.

XS
SM
MD
LG