Lidhje

Kosovë: Sulmohet patrulla e policisë në veri


Veriu i Mitrovicës

Veriu i Mitrovicës

Persona të panjohur kanë qëlluar mbi një patrullë të policisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës.


Policia e Kosovës bëri të ditur se është qëlluar me armë zjarri një patrullë e saj në veriun e Mitrovicës, por pa dëme në njerëz. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve, një lagje më popullsi të përzier në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe.

Persona të panjohur kanë qëlluar mbi makinën e policisë në të cilën ndodheshin dy pjesëtarë të saj të përkatësisë kombëtare shqiptare. Patrulla ishte vendosur përballë ndërtesës ku pritet të hapet zyra administrative e qeverisë së Kosovës.

Policia tha se sulmi që la pas vetes dëme materiale, është regjistruar si vepër penale e “sulmit të armatosur ndaj personave zyrtar” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Hetimet po kryhen nga policia e Kosovës dhe ajo e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, por ende nuk dihet asgjë për autorët apo motivet e mundshme të sulmit.

Muajin e kaluar, qeveria e Kosovës vendosi të themelojë Zyrën Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e asaj zone dhe do të bashkërendoje angazhimet dhe investimet qeveritare në atë pjesë të vendit.

Vendimi i mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, është kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG