Lidhje

Kosovë: Dy të arrestuar në lidhje me terrorizmin


Policia e Kosovës arrestoi dy persona në dy operacione të ndryshme, nën dyshimet për përfshirje në veprat, rekrutim dhe financim të terrorizmit.

Arrestime nën dyshime për terrorizëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Arrestimi i parë ka ndodhur në rajonin e Prizrenit, ku, siç thuhet në një njoftim të policisë janë kryer kontrolle në pronat e një personi nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në ‘financim apo lehtësim të terrorizmit’.

I dyshuari P. D. së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist, përkatësisht në konflikt jashtë vendit, vepër e ngelur në tentativë, pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në përpjekje që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, policia ka kryer kontrolle në pronat e një personi në rajonin e Prishtinës dhe të Pejës.

I dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, thuhet në njoftimin e policisë e cila thekson se “shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik janë arrestuar për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës. Disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit”.

I arrestuari dyshohet për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe lehtësim në kryerjen e terrorizmit.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

XS
SM
MD
LG