Lidhje

Arrestohet një i dyshuar për financim të terrorizmit


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprën penale financim i terrorizmit.

Policia tha se është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, me ç’ rast në cilësi të provave materiale janë konfiskuar disa pajisje elektronike, fletushka dhe një karikator pa fishekë, por nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Mediat vendase shkruajnë se mbi të arrestuarin rëndojnë dyshimet se përmes tij janë kryer pagesa tek disa qytetarë të cilët kanë përfunduar në Siri.

I arrestuari është nga Kaçaniku, prej nga është edhe Lavdrim Muhaxheri, pjesëtar i grupit Shteti Islamik i cili u bë i njohur në korrik të vitit të kaluar pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të vetes së tij, duke i prerë kokën një djali të ri.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Sipas një raporti të qendrës për studime të sigurisë, deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës mund te kenë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Deri tash rreth 30 veta kanë humbur jetën në ato luftëra. Muajin e kaluar ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se aktualisht atje mund të jenë rreth 50 shtetas të Kosovës.

Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Komunitetet myslimane në Kosovë e Shqipëri dënuan javën e kaluar një video të shfaqur nga seksioni i medias i grupit Shteti islamik që përmbante kërcënime të luftëtarëve të tij ndaj Ballkanit, ndërsa dy prej tyre duke folur shqip paralajmëruan hakmarrje, siç thuhej “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët”.

Aktualisht qeveria është duke hartuar një strategji për luftën kundër ekstremizmit pjesë e hartimit të së cilës janë edhe shoqëria civile dhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila ka bërë thirrje kundër përfshirjes së qytetarëve në ato luftëra që siç thuhet, nuk kanë të bëjnë as me islamin e as me shqiptarët.

XS
SM
MD
LG