Lidhje

Kosovë: Pesë të arrestuar nën dyshimet për terrorizëm


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë persona nën dyshimet për përfshirje në veprime që ndërlidhen me terrorizëm.

Tre prej tyre janë arrestuar gjatë natës në afërsi të liqenit të Badovcit rreth gjashtë kilometra në lindje të Prishtinës, që është një nga furnizuesit me ujë të kryeqytetit.

Personat e dyshuar, sipas policisë po udhëtonin me dy makina të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Hetimeve u janë bashkuar edhe njësitë tjera përfshirë atë për luftë kundër terrorizmit dhe ndërkohë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë të ndërlidhur me tre të parët.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth arrestimeve, pas të cilave kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që furnizohen nga liqeni i Badovcit.

Zyrtarët thanë se kjo është bërë për shkaqe sigurie dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas analizave të uji tha se çdo gjë është në rregull dhe uji është pastër.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të ekstremizmit te dhunshëm dhe përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Në fund të muajit qershor Departamenti amerikan i shtetit tha se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme.

Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste.

Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj që ishin kthyer në Kosovë.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG