Lidhje

Terrorizëm, 11 arrestime ne Shqipëri e Kosovë


Të paktën 11 persona kanë përfunduar në pranga në Shqipëri dhe Kosovë nën dyshimet për rekrutim personash për llogari të ISIS-it dhe vepra terroriste.

Në Shqipëri, policia tha se arrestimet janë kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët rajonal I cili është shtrirë dhe në Maqedoni. Policia shqiptare njoftoi arrestimin e 4 personave, Xh. F, 34 vjeç, lindur e banues në Vranjt, Dibër, B. P, 30 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Shkodër, E.F, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër dhe M. H, 46 vjeç, lindur në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë. Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan, janë shoqëruar dhe 16 shtetas të tjerë, nga këta 5 të huaj dhe 11 shqiptarë.

Të arrestuarit, sipas njftimit të policisë, “dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandojnë nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, mbështesin me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”. Operacioni, sipas njoftimit, është në vijim dhe hetimet po ndiqen në dinamikë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Ndërkaq autoritetet njpftuan arrestimin e shtatë personave nën dyshimet për përfshirje në veprat penale " të terrorizmit dhe kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.Operacioni i arrestimeve është kryer në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën dhe Ferizajn.

Në një njoftim të policisë thuhet se gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje dhe gjësende tjera të lidhura me rastin ndërsa të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia nuk dha më shumë hollësi as për identitetin e të arrestuarve e as veprimet për të cilat dyshohen ata.

Si Shqipëria ashtu dhe Kosova janë përballur vitet e funditme përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja, përkatësisht në konfliktet në Lindjen e Mesme. Nga Shqipëria mendohet se janë mbi 100 persona që kanë luftuar përkrah ISIS-it, ndërsa autoritetet kanë bërë të mundur disa arrestime. Gjatë këtij viti 9 anëtarët e një celule që rekrutonte persona për t’I dërguar në Siri u dënuan me 152 vite burgim.

Ndërsa në Kosovë, sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte. Prej tyre 117 janë kthyer në Kosovë, ndërsa atje ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë.

XS
SM
MD
LG