Lidhje

Arrestohet Dardan Molliqaj


Sekretari organizativ i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj u arrestua në lidhje me protestat e 27 janarit që u përfshinë nga dhuna më e ashpër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës

Policia e Kosovës arrestoi sot sekretarin organizativ të lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në bazë të një urdhër arresti që e ngarkon atë me “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Zoti Moliqaj u arrestua në aeroportin e Prishtinës prej nga po synonte të udhëtonte për në Zvicër për një takim me simpatizantët e partisë së tij.

Arrestimi ka të bëjë me protestat e 27 janarit të këtij viti me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës i cili nxiti reagime më mohimin e krimeve të luftës në Kosovë. Protestat që u pasuan me shkarkimin e ministrit serb u përshkuan nga dhuna më e ashpër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitn 2008.

Lëvizja Vetëvendosje që është partia më e madhe opozitare me 16 deputetë në Parlamentin e Kosovës, kërkoi lirimin e zotit Molliqaj. Në një reagim të kësaj partie thuhet se “qeveria, në vend që të merret seriozisht me kërkesat e drejta të qytetarëve protestues dhe t’i plotësojë ato, po i arreston protestuesit duke e vazhduar kështu përndjekjen e kërcënimin ndaj qytetarëve, në mbrojtje të shtetit të kapur. Lëvizja Vetëvendosje kërkon me ngulm që Dardan Molliqaj të lirohet menjëherë si dhe paralajmëron qeverinë që me metoda të tilla represive nuk do të arrijë shtypjen e pakënaqësisë së madhe të qytetarëve”, thuhet në reagim.

XS
SM
MD
LG