Lidhje

Arrestohen veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje


Policia e Kosovës arrestoi të martën shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ndërsa të hënën në mbrëmje kishte arrestuar edhe zëdhënësin e kësaj lëvizjeje, Frashër Krasniqi. Lëvizja Vetëvendosje tha se janë arrestuar edhe gjashtë veprimtarë të tjerë të saj.

Policia nuk ka dhënë asnjë hollësi për arrestimet duke nënvizuar se bëhet fjalë për "zbatimin e urdhëresave të organeve të drejtësisë".

Lëvizja Vetëvendosje tha se po arrestohen veprimtarët e saj në lidhje me një aksion të vitit 2009 kundër Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

"Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje më 2009 kundërshtonte Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEX-i me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor. Nga ky protokoll nuk rezultoi të jenë arrestuar asnjë prej kriminelëve të luftës nga radhët e policisë e paramilitarëve të Serbisë, asnjë prej kriminelëve e kontrabanduesve në veri. Por pati një mori akuzash e dënimesh të pjesëtarëve të UÇK-së për gjoja krime lufte. Sepse këtë e do Serbia, e kështu do Serbia", thuhet në një njoftim të kësaj lëvizjeje e cila akuzon qeverinë për arrestime një ditë para protestës së opozitës.

Ndaj arrestimeve reagoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas së cilës, ato dëshmojnë lidhjen e fortë të pushtetit dhe gjyqësorit.

"Nuk mund të jetë krejt e rastësishme që pushteti vendosë ta ushtrojë zbatimin e ligjit në ditën më domethënëse për Opozitën, prandaj AAK, vlerëson se operacioni i arrestimeve pikërisht sot, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme. Por Opozita është shumëfish më e përgjegjshme dhe nuk do t’i nënshtrohet skenarëve të krerëve të pushtetit për një protestë të dhunshme, edhe ashtu të paralajmëruar, të sajuar e të deklaruar publikisht tash e sa ditë. Protesta e 17 Shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore, prandaj kërkojmë që pushteti të mos e provokojë atë me skenarë të gatuar në kuzhinat e tyre politike, aq më tepër ta shfrytëzojë gjyqësorin për hesap të vet", thuhet në reagimin e AAK-së.

Partia tjetër opozitare, Nisma për Kosovën konsideron se "fushata e arrestimeve të zyrtarëve dhe aktivistëve të opozitës dy ditë para protestës është tregues i qartë që ky regjim e ka veç një qëllim, të provokoj dhe frikësoj qytetarët, ndryshe s’ka si shpjegohet fakti i arrestimit të zëdhënësit të Vetëvendosjes. Ftojmë qytetarët që të mos provokohen nga këto masa represive të regjimit aktual qeverisës", thuhet në një reagim të kësaj partie.

Opozita e cila ka paralajmëruar protesta për datën 17 shkurt, që shënon edhe tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar këtë marrëveshje sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria ka bërë thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kriza politike që tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë, ka lënë nën hije shumë zhvillime dhe mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG