Lidhje

Arrestohet Naser Kelmendi


Policia në Kosovë tha se ka arrestuar Naser Kelmendin, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Në Kosovë, policia tha se ka arrestuar Naser Kelmendin, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Në një njoftim të policisë thuhet se të dielën në mbrëmje gjatë një operacioni në rajonin e Prishtinës, është arrestuar personi i dyshuar Naser Kelmendi i lindur ne vitin 1957, i kërkuar me flet arrest ndërkombëtar si dhe personi i dyshuar Fuad Nikqi, i lindur më 1981, me dyshimin se ka ndihmuar personin në kërkim.

Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar si dhe janë konfiskuar dëshmi të ndryshme duke përfshirë edhe dy makina.



Emri i Naser Kelmendit qe rishfaqur në mediet e Ballkanit në shtator te vitit të kaluar kur autoritetet boshnjake ndërmorën një operacion në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar, që përfshinte bastisje në mbarë vendin në kërkim të personave të dyshuar për vrasje trafikim droge dhe plaçkitje.

Autoritetet thanë se personat e kërkuar në atë që u cilësua si operacioni më i madh kundër krimit të organizuar që pas përfundimit të luftës në Bosnjë, janë të dyshuar mes të tjerash edhe për vrasjen në vitin 2007 të myslimano-boshnjakut Ramiz Dalaliç, i cili qe bërë një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës.

Mediet boshnjake thanë se një nga vendet e bastisura ishte një hotel në pronësi të shqiptarit Naser Kelmendi, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Pak, pas operacionit atëbotë qe thënë se Naser Kelmendi është parë në Kosovë, në Pejë, ku ai është lindur në vitin 1958, por autoritetet nuk e kishin konfirmuar asnjëherë një gjë të tillë.

Mediat në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Autoritetet boshnjake thanë sot se do të kërkojnë dorëzimin e të arrestuarit nëpërmjet mekanizmave ndërkombëtarë, një proces që duket të jetë i ndërlikuar për shkak se Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, jo shumë kohë më parë autoritetet e Prishtinës u kishin dorëzuar autoriteteve të Sllovakisë një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nëpërmjet Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, pavarësisht që Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG