Lidhje

Gjashtë të dyshuar për planifikim terrorizmi


Autoritetet në Kosovë thanë se gjashtë veta po mbahen në paraburgim nën dyshimet për përgatitje të veprimeve terroriste dhe atyre kundër rendit kushtetues të Kosovës

Zyrtarë të drejtësisë në Kosovë thanë se gjashtë shqiptarë të arrestuar javën që lamë pas dyshohen për përgatitje të veprimeve terroriste dhe veprave tjera kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë. Arrestimet sipas policisë janë kryer në Prishtinë dhe Gjilan, gjatë një operacioni që pasoi një hetim disamuajsh, që sipas policisë është kryer në bashkërendim me agjencinë e zbulimit të Kosovës. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani tha se gjatë operacionit janë zbuluar dhe konfiskuar edhe disa armë, para dhe makina të përdorura nga të dyshuarit.


Zoti Kelani tha se rasti tash është në duart e prokurorisë dhe policia nuk ka më shumë hollësi. Të gjashtëve ndërkaq u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa po hetohen nën dyshimet për përfshirje në përgatitje të veprimeve terroriste dhe veprave kundër rendit kushtetues e sigurisë së Kosovës.

Dy nga të arrestuarit po hetohen nën dyshimet për nxitje të urrejtjes në lidhje me një sulm fizik ndaj dy shtetaseve amerikane me tre nëntor. Jo zyrtarisht thuhet se të sulmuarat i takojnë kishës evangjeliste dhe ishin sulmuar derisa po shpërndanin fletushka me përmbajtje fetare. Një nga të dyshuarit është në arrati.

Policia e Kosovës tha se është duke hetuar një kërcënim drejtuar asaj nga një organizatë e panjohur që veten e quan “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë”. Nëpërmjet postës elektronike, medieve lokale në Kosovë u është dërguar një porosi ne të cilën i kërkohet policisë së Kosovës që të lirojë të arrestuar ditë më parë, në të kundërtën mund të përballet me sulme të dhimbshme.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë më shumë hollësi rreth këtij rasti, ndërsa mediet lokale thanë se njëri nga të arrestuarit besohet të ketë qenë në Siri duke luftuar në radhët e kryengritësve, kundër forcave të regjimit të Bashar Al Asadit, përkatësisht përkrah forcave të afërta me Al Qaeda-n.

Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndonëse askush në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre. Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në shumë raste që siç thuhet zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, të mos ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftë në Siri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG