Lidhje

Kosovë: Arrestohen 40 të dyshuar për radikalizëm


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar 40 persona nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe Irak. Operacioni i arrestimeve sipas policisë ka përfshirë rreth 60 vende të ndryshme dhe ai është ndërmarrë, siç thuhet, “duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani tha se armë, municione e mjete shpërthyese janë konfiskuar gjatë operacionit në të cilin ishin përfshirë qindra pjesëtarë të policisë.

Ky operacion policor është organizuar në nivel vendi për arrestimin e personave të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë qenë përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë ISIS dhe Al Nusra”, tha zoti Kelani.

Prokurori i çështjes Blerim Isufi tha se arrestimet e sotme janë rezultat i hetimeve të gjata që kishin zënë fill qysh në paraqitjet e para të shqiptarëve në luftën e Sirisë.

Pothuajse të gjithë këta të arrestuar, përveç 2-3 vetave për të cilët nuk kemi informata të sakta, të tjerët kanë qenë të gjithë pjesëmarrës. Përveç kësaj, këta, veprimtarinë e vet e kanë ushtruar edhe përmes mjeteve tjera elektronike duke bërë thirrje për shkuarje në një luftë që vërtet është e pakuptimtë dhe që bie ndesh me dispozitat e Kodit Penal (të Kosovës)”, tha zoti Isufi.

Ky është operacioni më i madh deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Autoritetet thanë se operacioni do të vazhdojë dhe sipas kryeprokurores së prokurorisë së posaçme Sevdie Morina, do të përfshijë edhe të tjerë.

Ky nuk është rasti i vetëm që po hetohet. Kemi edhe raste tjera në Prokurorinë Speciale që janë duke u hetuar, ku ka edhe imamë, nxitës dhe rekrutues. Janë raste të ndara, ka njerëz në paraburgim dhe ky rast është një vazhdimësi e asaj që është hetuar për një kohë të gjatë. Kështu që ka njerëz të profileve të ndryshme që janë nën hetime”, tha zonja Morina

Mirëpritet operacioni i arrestimeve

Operacioni i policisë u mirëprit nga institucionet vendase e ndërkombëtare. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga thekson se “qëllimi i operacionit - përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të të dyshuarve duke penguar veprimtari të paligjshme që kanë për qëllim përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste - është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën e gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat është ndërtuar shteti”.

Ajo ka ritheksuar qëndrimin e saj se “Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi të shndërrohet në burim të veprimtarive kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, qëndrueshmërinë dhe rendin kushtetues”.

Ndërsa qeveria e Kosovës duke e mbështetur fuqishëm operacionin rithekson se “organet shtetërore të Kosovës do të mbrojnë me vendosmëri vlerat qytetëruese euro-atlantike, liritë individuale, sekularizmin, të drejtat kushtetuese dhe ligjore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Qeveria fton qytetarët e Kosovës që me këmbëngulje të kundërshtojnë çfarëdo forme të shprehjes së ekstremizmit. Toleranca ndër-fetare dhe ndër-etnike, bashkëpunimi dhe komunikimi i ndërsjellë gjithmonë kanë qenë dhe do të mbesin vlera të pacenuara të shoqërisë sonë. Çdo kërcënim ndaj këtyre vlerave fondamentale të shtetit dhe shoqërisë sonë do të ndëshkohet pamëshirë”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Operacioni është mirëpritur edhe nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë e Britanisë së Madhe, të cilat kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme kundrejt kërcënimit nga ekstremizmi i dhunshëm. Lufta kundër përhapjes së ideologjive ekstremiste kërkon angazhimin e të gjitha segmenteve të shoqërisë së Kosovës, si dhe bashkëpunim të fuqishëm ndërkombëtar, thuhet në reagim të përbashkët, në të cilin u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës që të zgjerojnë mjetet ligjore në mënyrë që të luftohen sfidat e tilla të sigurisë.

Në pranverë, parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG