Lidhje

Kosovë: Arrestohen nëntë punonjës shëndetësorë


Policia e Kosovës arrestoi të enjten nëntë persona, përfshirë edhe punonjës të ministrisë së shëndetësisë të dyshuar për përfshirje në një grup të organizuar kriminal.

Policia e Kosovës arrestoi sot nëntë persona, punonjës të ministrisë së shëndetësisë dhe mjekë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kriminale. Operacioni i autorizuar nga prokuroria e posaçme Kosovës, është kryer në Prishtinë dhe në Pejë në Kosovën perëndimore. Në kuadër të operacionit është intervistuar edhe ministri i shëndetësisë Ferid Agani.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar që duke vepruar në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik, te arrestuarit kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private.

Nëpërmjet këtyre veprimeve ata dyshohen të kenë kryer e veprat penale: pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e dhënie të ryshfetit dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.

Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit për një muaj për të gjithë të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ishte pjesë e mangësive të Kosovës të përmbledhura në raportin e progresit të Komisionit Evropian që u bë publik të mërkurën. Në raport Kosovës i kërkohen rezultate praktike në luftën kundër këtyre dukurive dhe forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG