Lidhje

Kosovë: Arrestime për trafikim me emigrantë


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar në dy operacione, 15 persona nën dyshimet për “kontrabandë me emigrantë të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar”.

Gjatë një operacioni në rajonin e Prizrenit dhe atij të Mitrovicës, policia tha se ka arrestuar 11 veta, të cilët, sipas saj, “në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë nga Serbia, Hungaria, Austria, Zvicra, Franca dhe Gjermania, kanë arritur në mënyrë të organizuar të trafikojnë persona nga Kosova në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, për përfitime materiale të kundërligjshme”.

Të njëmbëdhjetë të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, dhjetë prej të cilëve shqiptarë dhe një i përkatësisë kombëtare serbe.

Hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet policore hungareze, austriake, zvicerane, franceze dhe gjermane dëshmojnë se grupi përdorte rrugët nga Kosova përmes territorit të Serbisë për në Hungari, me qëllim që nga aty emigrantët të vazhdonin për në shtetet tjera evropiane.

Çmimi për një emigrant sillej nga 1mijë e 800 deri në 3 mijë e 500 euro, varësisht vendit të synuar. Gjatë procesit të deritashëm të hetimeve janë identifikuar mbi 100 viktima të këtij krimi, të cilët ishin mashtruar nga ky grup kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë e cila gjatë bastisjeve në 12 shtëpi ka konfiskuar edhe armë të paligjshme, para e dokumente në cilësinë e provave materiale.

Ndërkohë, katër persona, tre nga të cilët shtetas të Kosovës dhe një shtetas turk, janë arrestuar në Prishtinë, pasi që policia zbuloi se dy shtetas të Turqisë i kishin paguar nga 6 mijë euro një grupi të organizuar për t’i dërguar ata më tutje në vendet e Bashkimit Evropian.

Të arrestuarit dyshohet se “në mënyrë të organizuar dhe me qëllim të përfitimit material kanë organizuar udhëtimin e shtetasve të huaj, kryesisht nga Azia dhe Afrika, si vizitorë në Kosovë dhe pastaj trafikimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.

Arrestimet ndodhën në kohën kur në Kosovë po i zhvillon punimet konferenca e parë rajonale “Siguria Kufitare”, e organizuar nga Dogana dhe Policia e Kosovës, në të cilën u tha se trafikimi dhe migrimi i paligjshëm janë problem i madh në Ballkanin Perëndimor dhe këto dukuri janë të lidhura me krimin e organizuar.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, radhiten në mesin e pengesave kryesore për Kosovën që të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj. Autoritetet thonë se rritja e numrit të atyre që emigrojnë në rrugë të paligjshme, është armiku më i madh i këtij procesi.

XS
SM
MD
LG