Lidhje

Kosovë: Djegie dhe dëmtim makinash zyrtare


Policia e Kosovës tha se gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes, janë dëmtuar disa makina zyrtare të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Një makinë e Prokurorisë së Posaçme, është djegur në rrethana të paqarta në Mitrovicë.

Policia tha se në vendin e ngjarjes është gjetur "një shishe me substancë koktej molotovi, e cila ishte hedhur brenda në veturë". Sipas policisë, dyshohet se persona të maskuar fillimisht kishin thyer xhamin e makinës dhe kishin hedhur shishe me benzinë.

Tash për tash nuk dihen më shumë hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të këtij incidenti që policia tha se po e heton si vepër penale ‘zjarrvënie’.

Po, gjatë natës, në Mitrovicë janë dëmtuar katër makina të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Policia tha se makinat janë gërvishtur dhe u janë thyer dritat nga persona të panjohur dhe se rasti po hetohet si “dëmtim prone”. Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtyre dëmtimeve.

Po gjatë natës, në Pejë, në është përfshirë nga zjarri një makinë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit. Në Malishevë, i është vënë zjarri një makine, pronë e Gjykatës Themelore në Gjakovë, ndërsa në makinë e ministrisë së Punëve të Brendshme është djegur në Gjilan dhe një tjetër në Ferizaj, pronë e Qendrës për Punë Sociale.

Këto raste pasuan disa incidente të javëve të fundit kur në rrethana të pasqaruara u dogjën disa makina të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe makina të institucioneve të drejtësisë.

Kosova po përballet tash e një gjysmë viti me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG