Lidhje

Situata politike – sfidë për sigurinë e Kosovës

  • Leonat Shehu

Një anketim në Kosovë tregon se 90 për qind e qytetarëve e shohin krizën politike si një nga kërcënimet kryesore të brendshme për sigurinë kombëtare

Një studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar e shohin papunësinë, korrupsionin e krimin e organizuar si dhe mungesën e qëndrueshmërisë politike si kërcënimet më të mëdha për sigurinë e brendshme të Kosovës, ndërsa radikalizmin fetar dhe Serbinë si kërcënimet më të mëdha të jashtme të sigurisë.

Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të Barometrit të Sigurisë, nëpërmjet të cilit qendra ka bërë matjen e opinionit publik rreth besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë dhe mendimet e tyre ndaj sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë kombëtare.

Studime vë në pah se 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin mungesën e qëndrueshmërisë politike si një nga kërcënimet kryesore të brendshme që rëndojnë sigurinë kombëtare në Kosovë.

Në studim thuhet se vlerësimet e tilla mbi mungesën e qëndrueshmërisë politike janë të ndikuara nga siç thuhet ngërçi aktual dhe zhvillimet e fundit në parlamentin e Kosovës të nxitura nga mosmarrëveshjet e thella ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës që kanë çuar në një krizë politike tash e tre muaj me radhë.

E marta në Prishtinë është e qetë pas një dite tensionesh në parlamentin e Kosovës ku sërish u hodh gaz lotsjellës, ndërsa përplasje të dhunshme pati edhe në rrugë.

Partitë opozitare ngulin këmbë ë trysninë e tyre ndaj qeverisë për anulimin e marrëveshjes me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria ka bërë thirrje për hapje të dialogut politik, por opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Partitë opozitare akuzojnë qeverinë për vendosje të pushtetit policor, meqë 13 deputetë të opozitës janë në paraburgim, nën masa të arrestit ose në procedurë gjyqësore për shkak të veprimeve në parlament.

Raporti i qendrës për studime të sigurisë vë në pah ndërkaq se përtej krizës politike, qytetarët vlerësojnë se kërcënime të brendshme më të mëdha për sigurinë janë papunësia me 97 për qind, korrupsioni me 95 dhe krijimi i organizuar me 92 për qind.

Sipas studimit qytetarët vlerësojnë se më të korruptuarat janë qeveria dhe gjykatat, të pasuara nga prokuroria dhe komunat. Kjo ka ndikuar edhe në rënien e besimit të qytetarëve në këto institucione, të cilët ndërkaq i besojnë Forcës së Sigurisë, forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe policisë.

Sa u përket rreziqeve dhe kërcënimeve të jashtme për sigurinë kombëtare, 76 për qind e të ankuarve e shohin si rrezik grupin Shteti Islamik, duke ju referuar siç thuhet në studim, aftësisë së rekrutuesve për të përhapur ekstremizmin e dhunshëm dhe rekrutuar njerëz për konfliktet në Lindjen e Mesme. Arritja e refugjatëve nga Siria është parë si rrezik nga 45 për qind e të anketuarve me friken që mund të ketë infiltrim potencial të anëtarëve të ISIS në mesin e tyre, përderisa 37% e tyre nuk kanë perceptuar asnjë rrezik nga refugjatët sirian.

Ndërsa 66 për qind e të anketuarve e shohin Serbinë si një sfidë të jashtme për sigurinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG