Lidhje

Lëvizje e re politike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme


Lëvizje e re politike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Lëvizje e re politike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Në Kosovë afrimi i zgjedhjeve ka nxitur edhe lëvizje e ndryshime në skenën politike. Krahas ndryshimeve dhe shfaqjes së nismave të reja politike edhe brenda partive ekzistuese, afrimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, të parat e këtij lloji në Kosovë, kanë nxitur edhe shqetësime rreth rrjedhës së tyre dhe aftësive të shtetit të ri për t’u përballur me këtë sfidë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, deri tani edhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shpalli sot zyrtarisht themelimin e një nisme të re politike me emrin Lëvizja Qytetare për Demokraci. Shpallja e sotme e krijimit të kësaj lëvizjeje i jep fund bashkëpunimit të tij me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj. Zoti Kosumi tha se shteti është marrëveshje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe jo privilegj. Ai bëri thirrje për sundim të ligjit dhe ruajtje të tolerancës dhe demokracisë në vend.

“Është koha të mësojmë nga të tjerët, e jo ta provojmë lëkurën tonë se armiqësitë partiake e çojnë shtetin në një krizë të pandërprerë”, tha zoti Kosumi.

Zoti Kosumi në vitin 2005 mori postin e kryeministrit të vendit pas dorëzimit të zotit Haradinaj në gjykatën e Hagës. Në fillim të vitit 2006 ai u largua nga posti, në kuadër të ndryshimeve në skenën politike që pasuan vdekjen e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Largimi nga ky post kishte shënuar edhe fillimin e ftohjes së marrëdhënieve të tij me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilës I ishte bashkuar pas luftës në Kosovë, në kohën kur zoti Kosumi drejtonte Partinë Parlamentare të Kosovës. Nisma e tij sot është pjesë e zhvillimeve në skenën politike në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Koha e shkurtër e organizimit të këtyre zgjedhjeve, të parat e këtij lloji në Kosovë ka kushtëzuar lëvizje të mëdha brenda subjekteve politike e njëkohësisht edhe shqetësime nëse vendi do të mund të përballet me sfidat që paraqesin këto zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 11 nëntorin si afatin e fundit për regjistrimin e partive politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa ka vendosur që fushata për këto zgjedhje të zgjasë dhjetë ditë dhe ajo të do fillojë zyrtarisht me 1 dhjetor. Por fushata tashmë ka filluar.

XS
SM
MD
LG