Lidhje

Beogradi kërkon heqjen e përmendores së UÇPMB-së


Autoritetet e Beogradit thanë se ka skaduar afati për largimin e një pllake përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të UÇPMB-së

Ministria serbe e drejtësisë, tha se të martën në mesnatë ka skaduar afati për largimin e pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,

Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se pas skadimit të këtij afati, inspektorati i saj do të nisë procedurë kundërvajtëse ndaj shefit të administratës komunale të Preshevës. Po ashtu do të përcaktohen edhe procedurat dhe afatet për largimin e pllakës përkujtimore.

"Me skadimin e afati ligjor, do të ndërmerren veprimet për largimin e pllakës së vendosur në mënyrë të paligjshme me ndihmën e organeve të punëve të brendshme nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë refuzuar largimin e pllakës përkujtimore, me gjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe se largimi i saj do të bëhet edhe me forcë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, tha të martën se shteti serb “nuk do të nxisë konflikte të reja, por as nuk do të lejojë provokime të hapura”. Ai tha se ka më shumë se 20 përmendore të ngjashme në komunat jugore të Serbisë mirëpo ato gjendet përskaj rrugës apo edhe vende të tjera, dhe vetëm në Preshevë është vendosur në hapësirë publike dhe në qendër të qytetit. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të shqiptarëve që të largojnë pllakën përkujtimore në vend se këtë ta bëjnë forcat e rendit.

Debatet rreth kësaj çështjeje kanë nxitur tensione në Luginën e Preshevës, përfaqësuesit e së cilës të martën janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit, ai citohet t’u ketë thënë përfaqësuesve të Luginës së Preshevës se "normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në interes të dyja shteteve, dhe mbi të gjitha është në interes të qytetarëve të të dyja shteteve. Një gjë e tillë do të mundësojë trajtim më të mirë të komunitetit serb, që jeton në Kosovë, por gjithashtu edhe të komunitetit shqiptar, që jeton në Luginën e Preshevës".

Ai ka deklaruar me këtë rast se "shtetet demokratike në mbarë botën e kanë për detyrë thelbësore që të përkujdesen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të të gjitha komuniteteve dhe një standard i tillë demokratik duhet të respektohet edhe nga Serbia, ashtu siç respektohet plotësisht në Kosovë".

Kryeministri Thaçi ka bërë thirrje që për të gjitha çështjet në Luginën e Preshevës të diskutohet në një proces bisedimesh dhe paqes si e vetmja mundësi për zgjidhjen e problemeve.

Pllaka përkujtimore është vendosur në Preshevë në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo u kushtohet kryengritësve shqiptarë që luftuan për më shumë të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.

Kryeministri serb, më herët kishte paralajmëruar se nuk do të shkojë në takimin me kryeministrin e Kosovës më 17 janar nëse nuk largohet pllaka përkujtimore në Preshevë. Nesër, sipas planeve, të dy kryeministrat pritet të takohen në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
XS
SM
MD
LG