Lidhje

Jahjaga: E kemi sprovuar rëndë durimin e qytetarëve


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha në fjalimin e saj vjetor në parlament se zhvillimet e vitit 2014 nxorën në pah mangësitë e demokracisë që lëkundën edhe besimin e qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kritikoi sot partitë politike por edhe institucionet e pavarura të vendit për mosangazhim të mjaftueshëm në përballjen me detyrimet e tyre kundruall qytetarëve të Kosovës por edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar.

Në fjalimin e saj vjetor në Parlamentin e Kosovës, ajo tha se bllokada gjashtëmuajshe politike zbuloi të metat e demokracisë së re dhe identifikoi paqartësitë dhe mangësitë e një Kushtetute të aprovuar, por të paprovuar në jetën politike. Por, nuk ishte vetëm procesi demokratik dhe kushtetuta që u vunë në sprovë testuan me këtë rast, tha ajo duke theksuar se kishte e detyruar që të bënte thirrje për të lënë anash interesat e ngushta individuale dhe partiake, armiqësitë që ishin më shumë personale sesa konceptuale.

Këta gjashtë muaj, përpos që vumë në sprovë institucionet dhe Kushtetutën e Kosovës, këtë dokument bazë që i vë themelet e shtetit tonë dhe vlerat mbi të cilat i ndërtojmë këto themele, ne testuam rëndë edhe durimin e qytetarëve tanë. I sollëm ata pranë apatisë, që e sfidoi rëndë vullnetin tonë të përbashkët për t’u mobilizuar dhe për t’ia dhënë shtytjen e fundit konsolidimit të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, këtë ëndërr për të cilën aq shumë sakrifikuam. Ua lëkundëm besimin qytetarëve të Kosovës se mund ta bëjmë shtetin dhe ua zbehëm ambicien për t’u bërë zot i vetes”.

Presidentja Jahjaga tha se para Kosovës ka shume sfida dhe detyra që janë konkrete dhe të matshme, prandaj duhet të ketë një shkëputje nga praktikat e kaluara.

Skenat e të rinjve të papunë, që bredhin shesheve të qyteteve tona, qytete këto që gradualisht rrezikojnë të shndërrohen në qytete-fantazmë, apo skenat e radhëve të gjata për të blerë bileta njëdrejtimëshe drejt adresave fiktive dhe të paqena të shpëtimit, duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë”.

Ajo tha se njëkohësisht përgjegjësi e institucioneve të Kosovës është parandalimi i veprimeve të atyre që po provojnë të përfitojnë në kurriz të qytetarëve, përmes rrugëve të paligjshme duke i dërguar ata drejt një të ardhmeje të pasigurt.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të zgjidhë 52 rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, që janë një pjesë ende e papërmbushur e kërkesave të përgjithshme që u janë parashtruar institucioneve të Kosovës. Është e pakuptimtë që Kosova të jetë vendi më i izoluar në Evropë dhe lëvizja e qytetarëve të saj sot të mbetet peng i një sërë hollësish që lehtësisht mund të përmbushen.

Presidentja Jahjaga tha se në disa fusha tashmë janë shënuar arritje që e rendisin Kosovën përkrah aleatëve në mbrojtjen e pa kompromis të sigurisë kombëtare.

Nga kjo foltore, para një viti, kam paralajmëruar rrezikun që përbën ekstremizmi i dhunshëm për sigurinë e Kosovës. Kemi vepruar pa hezitim, sepse Kosova kurrë nuk do të bëhet vatër e ekstremizmit dhe strehë e terroristëve. Janë marrë masat që pengojnë aktivitetet terroriste, të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar që Kosova të mos bëhet çerdhe e këtyre forcave të errëta regresive të cilat po tentojnë t’i lëshojnë rrënjët në shtetin e Kosovës. Për t’u siguruar se i qëndrojmë besnik shtetit laik dhe lirisë fetare si e drejtë fondamentale e njeriut, ne na duhet një bashkëpunim me komunitetet fetare për një rregullim të mirëfilltë të veprimtarisë së tyre”.

Ajo tha se synimet për integrime evropiane janë të lidhura ngushtë me rezultatet në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe integrimin e komuniteteve pakicë, procese që janë të lidhura me reformat e thella në shëndetësi,arsim e në sistemin e drejtësisë.

Presidentja tha se Kosova duhet të qëndrojë stoike edhe përballë sprovës së radhës që ka të bëjë me krijimin e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë akuzat për krime lufte që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010. Ajo duhet të përmbushë detyrimin e për themelimin e saj si dëshmi që është shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë.

Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm që me kredibilitet i shqyrton këto akuza një herë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi”.

Presidentja Jahjaga tha se është detyrim i institucioneve që të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për të kthyer në Kosovë trupat e mbi 1 mijë e 600 qytetarë të zhdukur.

Kthimi i tyre nuk duhet të jetë subjekt i negociatave, por një detyrim shtetëror i qeverisë së Serbisë dhe përparësi për ne që mos t’i lëmë këto krime në harresë, por të kërkojmë drejtësi për to. Që të mos lëmë derë pa trokitur në përpjekje për të qetësuar shpirtin e familjeve që janë në pritje të më të dashurve të tyre tash e 15 vjet”.

Ajo i kushtoi një vëmendje të posaçme edhe trajtimit të viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës mbesin të përkushtuara për bisedime cilësore me Serbinë, për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Kosova nuk duhet t’i trembet kurrë përballjes më Beogradin.

XS
SM
MD
LG