Lidhje

Thaçi: Ushtrinë do ta bëjmë në bashkërendim më SHBA dhe NATO-n


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha të martën se të gjitha veprimet për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj, do të bëhen në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës, presidenti Thaçi, tha se aspirata për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri është e njohur për të gjithë tash e disa vjet dhe është mbështetur vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar. Por, ndryshimi i rolit të kësaj force përmes një ligji nuk është mbështetur nga NATO-ja dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilat kanë kërkuar që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Madje në reagimet e NATO-s dhe ambasadës amerikane është paralajmëruar rishqyrtimi i bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë, nëse ndryshimi i rolit të saj nuk ndodhë me ndryshimet kushtetuese.

Thaçi: Ushtrinë do ta bëjmë në bashkëpunim më SHBA dhe NATO-n
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Por, këto ndryshime kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare dhe janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre.

Presidenti Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në bashkërendim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Transformimi i Forcës së Sigurisë do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht dhe do të jete gjithëpërfshirës. Siç jemi koordinuar deri më tani deri në detaje me bashkëpunëtoret dhe përkrahësit tanë, në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe tani të bëjmë të njëjtën gjë. Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllimi thelbësor i yni, për më tepër e kam për detyrë që të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara sepse vet ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkët. Prandaj kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces i cili nuk është fare i njëanshëm por është i njësuar në mënyrë krejt të arsyeshme, të natyrshme dhe shumë transparente. NATO dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të ndihmojnë Kosovën me këshillat adekuate dhe profesionale, çka kam besim se edhe do të ndodhë”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë dhe në rajon, duke vënë theksin edhe tek siç tha, ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, me çka u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit.

Ai tha se me gjithë angazhimin e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia nuk është një partner konstruktiv, por burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin. Ajo, tha presidenti Thaçi, vazhdon të pengojë shtetin e Kosovës dhe dëshmi për qëndrimet e saj janë siç u shpreh, provokimet me trenin dhe murin ne Mitrovice, stërvitjet ushtarake afër kufirit me Kosovën etj.

Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, për aneksimin e pjesës veriore, sikurse Rusia Krimenë. Kjo është e vërtetë. E ka planin. Këtë plan e dinë edhe ndërkombëtarët. Unë nuk po them ta bëjmë ushtrinë dhe të përgatitemi për luftë, por ta bëjmë ushtrinë, të jemi më të fortë për paqe, stabilitet dhe natyrisht t’i dalim zot vendit tonë”, tha presidenti Thaçi.

Javën e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi parlamentit projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës e ka dërguar projektligjin për shqyrtim në qeveri, prej nga pastaj do të duhej të kthehej prapë në parlament dhe të hidhet në votim.

Por, nisma e presidentit Thaçi, shënoi edhe rastin e parë që një nismë e autoriteteve në Kosovë nxitë reagime të tilla të Shteteve të Bashkuara, roli i të cilave në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset që çuan në çlirimin e saj në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Tash për tash, ndonëse të gjitha forcat politike janë shprehur në favor të ngritjes së ushtrisë, një pjesë e tyre kërkojnë që kjo të ndodhë vetëm "në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n".

Presidenti Thaçi të premten e kaluar paralajmëroi dorëheqjen dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse parlamenti nuk voton ndryshimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke e shndërruar atë në ushtri të saj.

Tre vjet më parë, ishte çështja e ushtrisë së Kosovës që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG