Lidhje

Jahjaga: Përmbahuni nga trysnitë politike


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkoi që partitë politike të përmbahen nga trysnitë politike, duke ju përgjigjur kërkesave për përshpejtimin e procesit të emërimit të kandidatit për kryeministër

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u bëri thirrje forcave politike në vend që të përmbahen nga trysnitë politike, ndërsa paralajmëroi se vendimet e saj që kanë të bëjnë me ngritjen e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit do të jenë në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Këto komente pasuan paralajmërimin e koalicionit të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovës se mund të kërkojnë opinionin e Gjykatës Kushtetuese për qasjen e presidentes ndaj procesit të formimit të qeverisë.

Ka mundësi që ne ta pyesim Gjykatën Kushtetuese a ka vepruar drejtë Presidentja që nuk e ka ushtruar të drejtën e vetë për ta nominuar mandatarin, pasi që ka ndodhë seanca. Presidentja po rrezikon që ajo vetë të shkelë kushtetutën. Është një çështje e hapur, në rast se presidentja nuk e shfrytëzon kohën, atëherë do të shohim se si do të sillemi”, tha kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili është kandidat i këtij blloku për postin e kryeministrit.

Ndërkohë, në një komunikatë të zyrës së presidentes thuhet se ajo kërkon “nga të gjitha palët vetëpërmbajtje nga presionet politike”. Zyra e Presidentes thekson se “kandidati për kryeministër do të nominohet, në respektim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 dhe nenit 95, si dhe në pajtim me procedurat dhe afatet e parapara me Kushtetutë. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës rithekson faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjitha institucionet e vendit dhe se do t’i zbatojë me përpikëri ato”.

Të enjten e kaluar Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancën e parë në të cilën kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa u zgjodh kryetar, por pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës e cila çështjen e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Në pritje të vendimit të gjykatës, parlamenti nuk mund të mblidhet. Edhe presidentja Jahjaga është në pritje të këtij vendimi.

Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës. Përfaqësues të kësaj partie thonë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si i tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit dhe kanë numrat e mjaftueshëm edhe për ngritjen e qeverisë së re, nëse këtë nuk mund ta bëjë Partia Demokratike.

Në fund të qershorit Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese është Partia Demokratike e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi ajo e cila merr e para mundësinë për formimin e qeverisë, ndërsa përjashton mundësinë që kjo qoftë edhe në herën e dytë të bëhet nga koalicioni pas zgjedhor i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, për t’i pamundësuar asaj formimin e qeverisë.

XS
SM
MD
LG