Lidhje

Jahjaga fillon këshillimet për ngërçin politik


Presidentja e Kosovës, hapi takimet me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar rrugën e ndërtimit të institucioneve, pas dështimit të sotëm të parlamentit për të zgjedhur kryetarin e tij.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, filloi një seri këshillimesh me partitë politike për të lehtësuar një dialog politik, në përpjekje për t'i dhënë fund ngërçit institucional në vend.

Fillimi i këshillimeve, pasoi dështimin e parlamentit të Kosovës për të zgjedhur kryetarin e tij në seancën e sotme. Kandidati i Partisë Demokratike, Arsim Bajrami, mori 44 vota, kundër votuan 61 deputetë, ndërsa të paanshëm ishin 11 prej tyre.

Menjëherë pas votimit, kryesuesja e seancës, Flora Brovina, ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj në një të ardhme por pa datë të caktuar.

Deputetët u mblodhën në seancë pa ndonjë marrëveshje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare te tetë qershorit.

Në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet.

Ndërkaq, zyrtarët e bllokut politik të krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.

Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën për bllokim të procesit të ndërtimit të institucioneve. Partia Demokratike tha se është “kundër vazhdimit të qasjes bllokuese të procesit të themelimit të institucioneve shtetërore nga ana e Bllokut opozitar”. Në një reagim të kësaj partie thuhet se e drejta për të emëruar kandidatin për kryetar të Parlamentit “paraqet një të drejtë të patjetërsueshme dhe të patransferueshme të Grupit Parlamentar të PDK-së, si grupi më i madh parlamentar”.

Ndërkaq, koalicioni LDK-AAK-Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje, thanë se ndërprerja e seancës nga kryesuesja, Brovina, “pa e respektuar të drejtën e deputetëve të koalicionit të shumicës për fjalë, ishte jokorrekte”.

Ata shprehin bindjen se seanca e sotme dëshmoi se kush paraqet shumicën parlamentare.

Në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese tha se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, meqë kushtetuta nuk parasheh që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por një mundësi e tillë nuk është përjashtuar, ndonëse asnjëra nga partitë politike nuk shprehet në favor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Meqë as dita e sotme nuk çoi në një zgjidhje, presidentja Jahjaga vendosi që të thërras partitë në këshillime. Edhe më herët ajo kishte paralajmëruar mundësinë e ndërhyrjes por, siç është thënë, vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit. Njohës të situatave thonë se presidentja nuk mund të vepronte më herët, meqë përfshirja e saj do të mund të interpretohej jo vetëm si ndërhyrje ne autonominë e parlamentit, por edhe si favorizim i njërës apo palës tjetër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG