Lidhje

Jahjaga: Kosovës i duhet unitet përballë sfidave


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha sot në Parlament se Kosova ka hyrë në procese që kërkojnë bashkim dhe tejkalim të dallimeve politike

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje sot pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në jetën politike në vend, ndërsa Beogradit të heq dorë nga mbështetja e strukturave paralele, si kusht për rindërtimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ajo i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlament, ku tha se Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj ka dëshmuar se është faktor i paqes së qëndrueshme në rajon dhe se është e përkushtuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë…



“Kam shprehur gatishmërinë që të takoj Presidentin e Serbisë, në interes të shtetit dhe të popullit të Kosovës, duke u bazuar në ligjet dhe në Kushtetutën e Kosovës. Unë kam deklaruar se do të takohesha kurdo dhe kudo dhe vazhdoj të besoj se takimet ndërmjet përfaqësuesve të barabartë të Kosovës dhe të Serbisë kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Takimet nuk nënkuptojnë kushtëzime të asnjërës palë, e më së paku të përfaqësuesve të Republikës së Kosovës. Problemet nuk zgjidhen vet dhe nuk zgjidhen me forcë. Problemet në kohë moderne zgjidhen me dialog, në veçanti aty ku lufta ka përfunduar.”, tha ajo.

Ajo ndërkaq shprehu besimin se integrimi i popullsisë serbe në veri të vendit është rruga e ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët, të dinjitetshme dhe të sigurt. Presidentja Jahjaga duke iu drejtuar komunitetit serb në gjuhën e tyre, u bëri thirrje banorëve të asaj pjese që të integrohen në jetën politike në vend, duke i siguruar ata për kujdesin e institucioneve të vendit.

“Prandaj u bëjë thirrje qytetarëve tëe komunitetit serb, posaçërisht atyre që jetojnë në veri, që të shikojnë nga e ardhmja e tyre, së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtëpia juaj është Kosova, vend i aspiratave të mëdha dhe mundësive, vend I shpresës dhe përgjegjësive të përbashkëta. Le ta ndërtojmë së bashku për të ardhmen tonë dhe për një të ardhme të sigurtë dhe më të mirë”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka hyrë në procese të rëndësishme që kërkojnë bashkim dhe se dallimet politike duhet të shndërrohen në përparësi për të mirën dhe të ardhmen e vendit. E kjo e ardhme, tha presidentja Jahjaga, nuk mund arrihet edhe pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas saj e pengojnë zhvillimin e shoqërisë.

Gjatë fjalimit të saj, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës braktisën punimet, ne shenjë mospajtimi me zbatimin e marrëveshjes politike që solli në postin e presidentes, zonjën Jahjaga. Kjo parti kërkon që ajo të lëshojë postin për të hapur rrugën e reformës kushtetuese që lidhet me zgjedhjen e presidentit me vota të drejtpërdrejta. Por, presidentja Jahjaga ka theksuar se largimi i saj duhet te jetë pjesë e një procesi të rregullt reformash që ishin pjesë e marrëveshjes politike dhe zgjedhjeve që do të mundësoheshin nëpërmjet tyre.
XS
SM
MD
LG