Lidhje

Jahjaga: Gjykata e posaçme ose bëhet nga Kosova ose nga OKB-ja


Kosovo President, Atifete Jahjaga

Kosovo President, Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha të premten se Kosova duhet të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare ose të përballet me pasojat

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha të premten se beson që ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme, do të miratohen nga deputetët e parlamentit të Kosovës dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër.

Në një debat të hapur të organizuar nga lëvizja Fol, ajo tha se kjo gjykatë që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, do të bëhet për individët dhe jo për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Ajo shprehu besimin që ngritja e kësaj gjykate do të miratohet nga Parlamenti i Kosovës, në të kundërtën, sipas saj, pasojat do të jenë shumë të mëdha.

“Kjo gjykatë nëse shkon në Këshillin e Sigurimit, do të ishte procesi më i rrezikshëm për shtetin tonë. Unë këtë nuk ia dëshiroj Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve tanë, sepse atëherë nuk do të kishte fund dhe nuk do të kishim afat të caktuar kohor”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo tha se institucionet duhet të bëjnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë gjykatë, të miratojnë ligjin për këtë çështje dhe të hartojnë statusin e saj. Para se të shtrohet çështja në parlament, Gjykata Kushtetuese duhet të jap opinionin e saj për ndryshimet kushtetuese. Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ndërsa tani vendi duhet të përgatisë infrastrukturën ligjore për themelimin e saj. Presidentja Jahjaga tha se çdo detyrim i marrë kundruall shteteve mike, duhet të përmbushet.

“Ne duhet t’i përmbushim dhe ne kemi treguar gatishmëri gjithherë deri më tani se ne do t’i përmbushim të gjitha ato detyrime tona ndërkombëtare që ne i kemi marrë si shtet sepse kjo ka të bëjë me raste individuale dhe në asnjë rast dhe as një moment kjo nuk e paragjykon luftën e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe e kemi theksuar se jemi për parimin e drejtësisë ndaj të gjithëve dhe për gjithësecilin”, tha ajo.

Presidentja Jahajaga tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për parandalimin dhe luftimin e cdo lloj ekstremizmi apo radikalizmi të shoqërisë së Kosovës. Ajo tha se lufta kundër këtyre dukurive ka qenë përparësi pasi që ato dëmtojnë imazhin dhe e pengojnë zhvillimin e Kosovës.

Ne kemi parë një punë të jashtëzakonshme dhe profesionale që është bërë nga ana e Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Prokurorisë dhe Gjyqësisë dhe nga operacionet e fundit që kemi parë kur janë sjellë para drejtësisë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë të cilët në një farë mënyre apo tjetër u janë bashkangjitur këtyre luftërave që ende ne nuk e dimë qëllimin e tyre. Ne kemi kaluar edhe ligjin në kuadër të Parlamentit të Kosovës që parasheh dënimin deri në 15 vite kushdo që i bashkëngjitet luftërave të tilla dhe unë kam thënë dhe jam shumë e qartë në qëndrimin tim, se Kosova kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë çerdhe e këtyre veprimtarive të cilat po e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe po e pengojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë sonë”, tha ajo.

Muajin e kaluar, Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Ligji pasoi shqetësimet në rritje për përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Autoritetet në Kosovë besojnë që rreth 300 qytetarë nga Kosova mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.

Rreth 150 veta janë arrestuar deri tash në kuadër të hetimeve për përfshirje në veprimtari që kanë të bëjnë me zhvillimet në Lindjen e Mesme, përkatësisht luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG