Lidhje

Jep dorëheqjen rektori i Universitetit të Prishtinës


Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, dha dorëheqje të martën, në shenjë pakënaqësie me procesin e zgjedhjeve në këtë universitet.

Në një letër publike ai shkruan se para 18 muajsh kishte marrë detyrën "për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi".

Por, sipas tij, zgjedhjet e fundit në këtë institucion kanë dëshmuar se rezistenca ndaj ndryshimeve është shumë e fortë dhe se rruga e universitetit "është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre".

Më 21 tetor të vitit të kaluar, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është universiteti më i madh dhe i vjetri në vend, shkarkoi rektorin, Ramadan Zejnullahu, duke shkaktuar një valë reagimesh edhe të institucioneve më të lartë të Kosovës.

Atëbotë Këshilli drejtues numëronte disa arsye për shkarkimin e rektorit, mes tjerash, edhe për siç thuhej, shkeljet ligjore, bllokimin e mbledhjeve të Senatit, ndërprerjen e konkurseve për studime të doktoratës, etj.

Një ditë më vonë Ministria e Arsimit shfuqizoi vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Që atëherë zhvillimet rreth rektorit Zejnullahu nxitën diskutime për situatën në Universitetin e Prishtinës i cili u themelua 46 vjet më parë dhe deri vonë ishte i vetmi universitet publik në Kosovë.

XS
SM
MD
LG