Lidhje

Debat i ashpër për privatizimin në Kosovë


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkoi ndërprerjen e privatizimit deri në vendosjen e sundimit të ligjit në vend.

Parlamenti i Kosovës u përfshi në debate të ashpra lidhur me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore e publike. Debatet për dhe kundër përfshinë edhe deputetët e Partisë Demokratike në pushtet.

Në një paraqitje të pazakontë, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajësoi bartësit e pushtetit për procesin, siç tha ai, të keq të privatizimit në Kosovë. Zoti Krasniqi tha se Parlamenti duhet të kërkojë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ta ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend. Ai tha se deri tash ata që kanë qeverisur nuk janë dëshmuar se dinë të bëjnë një gjë të tillë.



I kemi parë se dinë të pasurohen jashtëligjshëm. Kanë ndërtuar kulla e pallate dhe askush nuk ua ka prish tymin e duhanit. Kjo është më e tmerrshmja që mund t’i ndodhë këtij vendi”, tha ai.

Zoti Krasniqi tha se përbërja aktuale e pushtetit në Kosovë nuk mund të bëjë privatizimin e pasurive publike.

Kjo legjislaturë është dalë nga zgjedhjet e vjedhura. Institucionet kanë dalë nga zgjedhjet e vjedhura dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasuritë publike. Prandaj nuk e kanë as të drejtën për të privatizuar interesin më vital. Ne jemi të obliguar që qytetarëve tanë t’ua kthejmë besimin në institucione, për të cilat kanë sakrifikuar shumë dhe besimin në përfaqësimin tonë nëse nuk dëshirojmë të bëhemi vrasës të ardhmërisë dhe të demokracisë në Kosovë”, tha zoti Krasniqi.

Debati për privatizimin ishte kërkuar nga lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton ashpër shitjen e ndërmarrjeve publike si Posta dhe Telekomi i Kosovës, që është në proces e sipër të tenderimit. Shefi grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, tha se deri tash, procesi i privatizimit nuk ka rimëkëmbur ekonominë e Kosovës, përkundrazi ka rrënuar ekonominë dhe ka rritur papunësinë.

Drejtpërdrejt si pasojë e privatizimit, 76 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës. Këto të gjitha janë rrjedhojë e shkatërrimit të kapaciteteve prodhuese dhe ndryshimit të destinimit ekonomik të ndërmarrjeve prodhuese. Por jo vetëm të tyre. Të gjitha ndërmarrjet e privatizuara e kanë reduktuar numrin e punëtorëve në minimumin e domosdoshëm, duke rritur eksploatimin e punëtorëve, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e këtyre punëtorëve”, tha zoti Ymeri.

Ministri i Zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj tha se privatizimi është proces i domosdoshëm, ndërsa kundërshtoi kërkesat për ndërprerjen e tij.

Unë jam shumë i bindur se të gjithë ata njerëz të cilët nuk e përkrahin ekonominë e tregut, të cilët propagandojnë ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar, të gjithë ata të cilët fatkeqësisht po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, të gjithë ata të cilët po dezinformojnë popullin dhe po bëjnë fushatë politike, këtë po e bëjnë në dëm të zhvillimit ekonomik, në dëm të mirëqenies së qytetarëve, në dëm të ardhmërisë së fëmijëve tonë dhe fatkeqësisht janë në anën e gabuar edhe politike edhe ekonomike”, tha ministri Beqaj.

Por, kryetari i Parlamentit tha se debati nuk synon pengimin e procesit të privatizimit por që ai të bëhet në të mirë të vendit.

E di që do të paguhen njerëz të flasin kundër këtij diskutimi, se gjoja po i frikësojmë investitorët e jashtëm. Unë nuk po flasë që të frikësojë investitorët, por mafinë vendore dhe ndërkombëtare të deritashme. Po. Ata duhet të frikësohen. Jo nga unë, as nga diskutimi im, por nga ligji. Nëse jo nga ligji, dikush duhet të frikësohet edhe nga Zoti”, tha kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Debati në Parlament përvijoi edhe përplasjet politike jo vetëm ndërmjet partive por edhe brenda tyre. Partia Demokratike e Kosovës gjatë kësaj vjeshte pritet të përfundojë procesin e brendshëm zgjedhor dhe kjo tashmë ka nxitur edhe përplasje të brendshme, që nga një pjesë e udhëheqjes së saj janë vlerësuar si zhvillime demokratike, ndërsa nga një pjesë tjetër si pasqyrim i pakënaqësive me proceset politike në vend.
XS
SM
MD
LG